E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vllaznia sjell Napolin në Shqipëri

Një short i vështirë, pothuajse i pamundur për t’u kapërcyer, e megjithatë ka ngjallur një kënaqësi dhe entuziazëm të kuptueshëm në radhët e Vllaznisë. 

Admir Uruçi
Fituesja e Kupës së Shqipërisë do të ndeshet me Napolin në turin e dytë eliminator të Kupës UEFA, pas shortit të hedhur dje pasdite në selinë e UEFA-s, në Nion të Zvicrës. Shanset e përparimit janë vetëm teorike, por përballja me italianët është pritur shumë mirë nga drejtuesit e kuqebluve. Vetë presidenti Valter Fushaj e ka cilësuar atë si “shortin e ëndërruar e që është bërë realitet”.
Endrra
“Të përballesh me një ekip të tillë është me të vërtet një realitet i bukur. Dikur ka qenë ëndërr për secilin prej nesh që të përballej me një skuadër të tillë, aq më tepër që me skuadrat italiane skuadrat tona janë ndeshur shumë rrallë”, thotë Fushaj. Presidenti garanton se klubi i tij do t’i marrë të gjitha masat që kjo ndeshje të kthehet në një festë të vërtetë sportive.
Shpërblimi
Vllaznia kaloi në turin e parë Koperin e Sllovenisë, një kualifikim i merituar dhe, sipas Fushajt, përballja me Napolin është një shpërblim i merituar për skuadrën shkodrane. Kalimi apo jo i turit në këtë rast duket se nuk ka më rëndësi, duke u nisur nga vlerat e kundërshtarit. Fushaj është i vetëdijshëm për një fakt të tillë. “Dëshira jonë është që skuadra të tregojë më të mirën në fushën e lojës. Kualifikimi nuk vendoset me fjalë, por në fushë, megjithatë ne e dimë mirë se cilat janë shanset tona”, thotë presidenti.
Urimi
Fushaj tregon edhe atë çka pret nga kjo përballje: “Dëshirojmë të luajmë futboll të bukur, ndoshta ndeshjen tonë më të mirë në arenën ndërkombëtare. Napoli është favorit, por sigurisht që nuk kemi ndërmend të bëjmë sehir. Do të japim maksimumin për të nderuar veten dhe gjithë futbollin shqiptar, të cilin mendoj se sivjet e kemi përfaqësuar denjësisht në Evropë. Kemi bërë maksimumin, duke qenë emblema e futbollit tonë në Evropë”.
Biletat
Drejtuesit e Vllaznisë kanë menduar menjëherë për të përfituar sa më shumë ekonomikisht nga shorti luksoz. Pritet që stadiumi “Loro Boriçi” të mbushet plot dhe menjëherë ka lindur ideja e çmimit një mijë lekë për biletat. Në ndeshjen e kthimit kundër Koperit, çmimi ishte vetëm 400 lekë, në të gjitha tribunat. Përveç kënaqësisë së përballjes me italianët, shorti iu ofron edhe mundësi të tjera përfitimi kuqebluve.

Reagimet e Napolit

Reja: Kujdes nga Vllaznia!
Shorti është pritur mirë nga skuadra e Napolit. Trajneri Edi Reja përpiqet të ulë tonet e entuziazmit. “Futbolli shqiptar është rritur shumë vitet e fundit, prandaj duhet të jemi shumë të vëmendshëm. Sigurisht nuk e mohojmë që Vllaznia është plotësisht e kalueshme, por nuk ka pse të jemi tepër optimistë. Ka eliminuar një ekip slloven, çka tregon se është skuadër me cilësi teknike. Avantazhi ynë është se luajmë ndeshjen e kthimit në shtëpi”.

De Laurentis, me këmbë në tokë
Për presidentin e Napolit, Aurelio De Laurentis, shorti me Vllazninë është “i mirë në letër”. “Kujdes, të mos e ulim vigjilencën”, paralajmëron presidenti. “Në arenën evropiane nuk ka kurrë asnjë gjë të sigurt dhe nëse shorti është i mirë apo i keq, kjo verifikohet vetëm në fushë. Ata kanë një stadium me 15 mijë vende, që me siguri do të jetë plot dhe nuk do të jetë e lehtë të luash atje, edhe si atmosferë”.

Precedentët italo-shqiptarë
Falë shortit që ka vënë Vllazninë përballë Napolit është hera e tretë që një skuadër italiane vjen në Shqipëri. Më 1968, Partizani fitoi 1-0 e humbi 1-3 me Torinon, për Kupën e Kupave. Për të njëjtën kupë, më 1995, Teuta u mund dy herë 0-2 nga Parma. Mbi nivelin e klubeve, U-21 ka luajtur me italianët më 1983, në çerekfinalet evropiane dhe në eliminatoret e fundit, duke pësuar tri humbje 0-1 dhe një 0-4.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›