E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gërdec, gjendet një viktimë tjetër

Një viktimë tjetër është gjetur dje nën rrënojat e fabrikës që çmontonte municione luftarake në fshatin Gërdec të Bashkisë së Vorës. Forcat e xhenios kanë nxjerrë nga rrënojat trupin e pajetë, i cili nuk është identifikuar ende. Viktima është transportuar në morgun e Tiranës, ku kanë filluar procedurat e identifikimit. Deri dje pasdite, mjekët thanë se trupi i pajetë i sjellë nga forcat e ushtrisë nuk është identifikuar, ndërsa janë interesuar dy familjet që kanë denoncuar zhdukjen e të afërmeve. Sipas mjekësisë ligjore, trupi i përket një vajzë të moshës rreth 25 vjeç, por identifikimi mund të jetë i vështirë, për shkak të dëmtimeve të shumta të pësuara nga shpërthimi. Bashkë me viktimën e djeshme, tragjedia e rëndë në Gërdec shënon rreth 26 viktima.

Kërkimet

Ndërkohë kërkimet për të gjetur trupat e pajetë që mendohet se janë poshtë rrënojave të "fabrikës së vdekjes", kanë vazhduar intensivisht edhe gjatë ditës së djeshme, ku specialistët kanë zbuluar një trup tjetër të pajetë në rrënojat e fabrikës ku çmontoheshin municione luftarake, e cila u rrafshua e tëra nga shpërthimi. Viktima është dërguar menjëherë në morgun e Tiranës, ku pritet të identifikohet, pasi një gjë e tillë nuk është bërë e mundur për shkak të dëmtimeve të shumta.

Pavarësisht se kanë kaluar gjashtë ditë nga momenti i shpërthimit, ende nuk ka një numër të saktë të viktimave të tragjedisë. Forcat speciale po depërtojnë çdo ditë për në zemër të kraterit të vdekjes, duke nxjerrë prej andej jo vetëm viktimat, por duke hequr dhe predhat, që mund të shpërthejnë duke vënë në rrezik jetën e banorëve, të cilët kanë rinisur të kthehen në fshat.

Identifikimi

Nga ana tjetër, në morgun e Tiranës ndodhen disa viktima të tragjedisë së Gërdecit, që ende nuk janë identifikuar për shkak të dëmtimeve të shumta. Ekspertët mjekoligjorë shprehen se do të presin derisa kërkimet në kraterin e vdekjes të përfundojnë dhe pas kësaj do të merrem kampione nga të gjithë familjarët që nuk gjejnë të afërmit e tyre, me qëllim që të krahasohen me mostrat e viktimave të paidentifikuara. Përputhja e ADN-së do të bëjë të mundur dhe gjetjen se kujt i përkasin trupat e pajetë, që ndodhen në morg, por që nuk janë identifikuar dot nga familjarët, për shkak se janë shkrumbuar plotësisht. Në tragjedinë e 6 ditëve më parë në Gërdec humbën jetën rreth 26 persona, ndërsa afro 300 të tjerë u plagosën.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›