Gërdec, gjendet trupi i Shqipe Alhasës
Gjendet një kufomë tjetër në kraterin e shpërthimit në Gërdec të Vorës. Nëna e dy fëmijëve, Shqipe Alhasa, është gjetur mëngjesin e djeshëm nga forca të ushtrisë, të cilat tashmë kanë ndërprerë aksionin e kërkimit, pasi nuk rezulton asnjë person tjetër i zhdukur gjatë shpërthimit të municioneve në fabrikën e çmontimit. Pikërisht mëngjesin e djeshëm, forcat e ushtrisë zbuluan edhe një kufomë tjetër pranë kraterit të shpërthimit në Gërdec të Vorës, duke e shtuar sërish numrin e personave që humbën jetën nga kjo tragjedi. Burime nga Bashkia Vorë bënë të ditur se kufoma e gjetur i përket Shqipe Alhasës, 25 vjeçe, zhdukja e të cilës ishte denoncuar që pas ngjarjes nga të afërmit e saj. 25-vjeçarja kryente procesin e larjes së predhave dhe gëzhojave në fabrikën e demontimit të municioneve luftarake. Ajo ishte nënë e dy fëmijëve dhe kushtet ekonomike e kishin detyruar të punonte në fabrikën e çmontimit të predhave në Gërdec. Menjëherë pas shpërthimit, familjarët e saj ishin interesuar në organet përkatëse për fatin e saj, por ajo nuk gjendej. Pak ditë më vonë, ata e humbën shpresën se ajo mund të ishte gjallë, pasi kishin kontrolluar edhe spitalet, ku ishin shtruar të plagosurit nga shpërthimi i Gërdecit. Në këto kushte, edhe në media, ata i bënë apel shtetit që të gjendej trupi i pajetë i saj, që t‘i zhvillohej ceremonia mortore ashtu siç e meritonte. Deri dje, edhe forcat e ushtrisë kishin humbur shpresat se mund të gjenin trupin e pajetë të Shqipe Alhasës, por kërkimet nuk kishin reshtur për asnjë moment. Kështu, mes gërmadhave një nga ushtarakët e operacionit të kërkim-shpëtimit ka vënë re një trup të karbonizuar. Menjëherë, specialistët kanë nisur punën për nxjerrjen e plotë të trupit të pajetë, duke u munduar që të mos e dëmtonin. Nga ana tjetër, në vendin e ngjarjes janë thirrur edhe ekspertët e Mjekësisë Ligjore. Burimet nga kjo e fundit bënë të ditur se nga veprimet paraprake të ekspertizës ka rezultuar se trupi i pajetë i përket Shqipe Alhasës, e cila është e vetmja e paidentifikuar nga kufomat e shpërthimit të Gërdecit. Ajo ishte e vetmja që ndodhej aty dhe nuk ishte gjetur pas ngjarjes që rrafshoi ish-repartin ushtarak të Gërdecit. Prej 21 ditësh, bashkëshorti i Shqipes, Dilaver Alhasa, kërkoi mes gërmadhave të ish-fabrikës së Gërdecit, trupin e gruas së tij. Vëllai i Dilaverit, daja i Shqipes dhe të afërm të tjerë e shoqëronin bashkëshortin e të zhdukurës në kërkimet për tri javë pas shpërthimit të 15 marsit. Bashkëshorti dhe të afërmit e Shqipe Alhasës nuk kanë munguar asnjë ditë në kërkimet që janë bërë në terren, ndërsa janë shoqëruar nga efektivët e njësisë së asgjësimit të minave dhe municioneve luftarake e forcat xheniere. Edhe ata po ashtu si pjesëtarët e familjes Alhasa, çdo ditë nga mëngjesi në mbrëmje rrëmojnë mes gërmadhave për t‘iu dhënë qetësinë e vetme që mund t‘iu ketë mbetur të afërmve të gruas së zhdukur. Deri dje, dy fëmijët e Shqipe Alhasës, Gesti 5-vjeçar dhe 3-vjeçarja Denisa, nuk e dinin se ç‘mund t‘i ketë ndodhur nënës së tyre. Por, çdo ditë ata e kërkojnë dhe çdo ditë dëgjojnë fjalët se mami është në punë, por do të vijë sërish. Nga shpërthimi i ndodhur më 15 mars, vdiqën të paktën 24 persona të identifikuar dhe u plagosën rreth 300 persona të tjerë, si dhe u dëmtuan mjaft banesa e biznese të zonës.