Gërdec-politika dhe përfshirja në vendimmarrje e atyre që përçojnë vetëm energji negative
Sa më shumë që afron data e përvjetorit të fatkeqësisë së Gërdecit, aq më shumë shohim të përpëliten krerët e politikës opozitare në kërkim të shansit të vetëm që u ka mbetur për të justifikuar një protestë. Është qesharake të dëgjosh se si tre apo katër javë më herët projektojnë protestat e tyre me qëllimin e vetëm për t’u kujtuar njerëzve se ata janë këtu dhe kanë dëshirë të vijnë në pushtet, një dëshirë që për hir të së vërtetës është e ligjshme, por që për ta bëhet e pamundur tek sheh se po luftojnë kush e kush të rrëmbejnë armën e vetme që u ka mbetur për të bërë opozitë: politikë-fosilen e Gërdecit.
Por Gërdeci tashmë është vetëm një thikë e ndryshkur me të cilën më shumë sesa përfitime politike, korifenjtë e opozitës rrezikojnë të infektojnë vetveten dhe të dalin nga kjo luftë e paprinciptë edhe më të dobët e më të cfilitur sesa kanë hyrë.
Nuk kanë faj! Në kushtet në të cilat ndodhet opozita e Ramës, e Metës apo e kalorësit të fundit mjaftist,Veliajt, armët që të çojnë drejt pushtetit janë shumë të pakta nëse zoti ju jep mend për të mos u kthyer tek armët e vjetra të ’97-s. Logjika e tyre revolucionare të bën të druhesh e të jesh i kujdesshëm se ndoshta janë duke i vajisur bodrumeve ku dikur - e ndoshta edhe sot - bëheshin mbledhjet e celulave.
Dikur ndoshta do te kishin më shumë mundësi për ta nisur ashtu si duhej një fushatë elektorale, por ajo kohë do të ishte shumë afër kohës kur lanë pushtetin e tyre zhgënjyes që i bëri shqiptarët të zgjedhin alternativën e djathtë si të vetmen që ofronte ndryshimin. Dhe tani që ky ndryshim është krejt i dukshëm, ata përpëliten duke kopjuar një slogan të ngjashëm, me mendimin se ky popull do të mund të gënjehet nga sloganet e tyre te thata dhe pa alternativa. Dikur, dhe kjo kohë përkon me lënien e pushtetit nga ana e tyre, ndoshta do të ishte e drejtë që të protestohej për një arsye të thjeshtë se kishim një Shqipëri të rrënuar dhe të pashpresë, por, sot energjia e munguar atëhere nuk mungon më e në protestë nuk mund të dilet me thirrjet “Poshtë qeveria e dritës”. Rrugët e munguara e të shkatërruara atëhere, sot janë ose të asfaltuara ose kantiere ndërtimi. Rruga Durrës-Kukës për të cilën qeveritë socialiste të njëpasnjëshme mblodhën vetëm taksa dhe nuk hodhën një kazmë të vetme, sot janë duke përfunduar dhe duke shënuar një pikë kulmore të sukseseve të qeverimit. Rritja ekonomike ka shënuar shifra të lakmueshme nga të gjitha vendet e rajonit e as për këtë nuk mund të protestohet.
Po të vazhdojmë kështu ndoshta do të zgjateshim aq shumë sa do të dilnim nga përmasat e një shkrimi të zakonshëm, ndaj po i quajmë të mjaftueshme - megjithë keqardhjen që ndjejmë – treguesit e pamundësisë së opozitës për të bërë opozitë. Gjithsesi, ata e kanë një “armë”, Gërdecin dhe do të vazhdojnë të luftojnë si Don Kishoti me mullinjtë e erës pa e ditur ndoshta se janë duke bërë politikë me vdekjen. Dhe të kërkosh të përfitosh kapital politik nga vdekja, nuk mund të jesh veçse hienë e politikës shqiptare.