Zgjidhja politike kundër zgjidhjes juridike
Në mos pas shpalljes së pavarësisë dhe pas 15 qershorit ’08, atëherë kur (është dashur) ose kur do të duhet të nisemi një hap nga “pika zero” e status quo-së, që nuk ka lëvizur që nga 17 shkurti 2008? Duke konstatuar gjendjen dhe duke “polemizuar” me Serbinë fashiste, “lëvizja” nuk bëhet. “Polemika” do të duhej të bëhej me UNMIK-un, se ai përfaqëson Serbinë, 1244-shin?
U pa edhe se përkrahja deklarative e faktorit ndërkombëtar pas qershorit 1999 është vetëm një strategji ku nuk implikohet realisht çështja e Kosovës. Kur nuk shohim “lëvizje” nga status quo-ja, kjo nuk supozon “lëvizje” zhvillimesh në kulturë, shëndetësi, infrastrukturë, arsim, ekonomi, etj. etj., se këto janë çështje të brendshme të shtetit. Dhe shteti nuk do të mund të zgjidhë çështje të brendshme, pa zgjidhur çështjet e jashtme që e sfidojnë pavarësinë e tij. Kosovën e sfidojnë probleme të jashtme politike rreth statusit të saj, dhe këto tashmë janë jo veç evidente, por konkrete: “mbikëqyrësi” nuk e pranon pavarësinë! UNMIK-u jokushtetues po vazhdon të instalohet në konfigurim të ri. Tashmë u pa haptas se të “nisurit e lëvizjes” për ta zbatuar statusin në praktikë ligjore kushtetuese, UNMIK-u (EULEX-i) ka rezervuar për vete të gjitha “6 pikat” atribuese që duhej t’i kishte një shtet në ekzekutivin e pavarësisë së tij ligjore. “Një vit” pavarësi konstatojmë situatën status quo (mediat aty këtu, jo “opozita”). Është e qartë se Plani i Ahtisarit (Kushtetuta) parasheh “mbikëqyrjen” ndërkombëtare, (që do të thotë observatorin e ligjshmërisë së qeverisjes së shtetit zyrtar të Kosovës), mirëpo “mbikëqyrja” ende mban në kompetenca të saj pjesët më vitale të sovranitetit, duke mos e pranuar haptas dhe kategorikisht pavarësinë (nuk e pranon EULEX-i). Ky lloj non sensi instalon EULEX-in sipas projektit të UNMIK-ut, (rikonfigurimi i tij). Shteti i Kosovës e ka “lejuar” (nuk e ka pyetur kush) lidhur me “rikonfigurimin”. “Pala” kosovare nuk ka qenë as faktor, as kontraktor politik për kriteret e instalimit të EULEX-it në Kosovë, kontrata është lidhur midis EULEX-it (BE-ja) dhe UNMIK-ut, që do të thotë midis BE-së me Serbinë pa kosovarë!
Kosova është pajtuar për “mbikëqyrje” nga ana e EULEX-it, duke e ditur që kriterin e përcakton Pakoja, Kushtetuta. Po pas shkeljes së sovranitetit, Kosova nuk është deklaruar: a do ta pranojnë një “mbikëqyrës” i cili nuk e pranon sovranitetin e Kosovës dhe njëherësh pranon të veprojë nën “ombrellën” (kompetencën e UNMIK-ut), përkatësisht OKB-së, veç nëse ky deklarim kuptohet nga refuzimi i Kosovës ndaj “6 pikave” të OKB-së. Duhet deklarim strikt: a i pranon Kosova ata që nuk e pranojnë pavarësinë e Kosovës? De jure (me Kushtetutë) nuk i pranon, por de facto po i pranon dhe thotë se UNMIK-u këtu nuk është i dhunshëm dhe jokushtetues, siç është në të vërtetë. De jure (sipas KS-së), UNMIK-u (dhe organizatat e tij satelite) konsiderohen “mbikëqyrëse” legale, kurse janë ilegal kushtetuese, që do të thotë janë tutorë mbi sovranitetin kushtetues të Kosovës.
Cilat janë argumentet? 1. Dhjetë vjet standarde (zyrtarisht) de jure ka udhëhequr OKB-ja, kurse de facto UNMIK-u ka ekzekutuar politikën e BE-së. Si? 2. Kryeadministratorët e UNMIK-ut dhe stafi “suprem politik” i tij kanë qenë kuadër i BE-së (me zëvendës jokuantitativë dhe jo ekzekutivë amerikanë, etj). 3. “Stafi” i UNMIK-ut e ka ndërruar uniformën e tij me atë të “EULEX-it” dhe “EULEX”-i e pranon zyrtarisht se vepron nën kompetencat e OKB-së (UNMIK-ut). Këto tri argumente dëshmojnë se statusi i Kosovës është zgjidhur politikisht, por juridikisht “mbikëqyrja” e OKB-së shkel sovranitetin e Kosovës në mënyrën më banale dhe frapante. Pse? Sepse këtë lloj “mbikëqyrjeje” nuk e parasheh as Pakoja, as Kushtetuta. Përkundrazi Kushtetuta nuk e parasheh UNMIK-un as superioritetin e tij zyrtar mbi “EULEX”-in!
Angela Merkel ka kërkuar nga lidershipi i Kosovës më shumë vendosmëri nacionale për shtet funksional. “Kurrfarë faktori ndërkombëtar”, - ka thënë ajo, - “nuk mund të nxisë forcat e vendit, njerëzit në Kosovë këtë duhet ta bëjnë vetë”!
Marrë nga “Bota Sot”