E Diel, 1 Nëntor 2026

Marrëdhëniet Shqipëri-BE, në një stad të ri, si pasojë e reformave të gjithanshme të qeverisë

TIRANE - Kryeministri Berisha vuri në dukje se marrëdhëniet e Shqipërisë me Bashkimin Evropian, tashmë kanë hyrë në një stad të ri shumë më të rëndësishëm kontraktual dhe politik, megjithëse u deshën të humbeshin tetë vite që procesi të dilte nga vendnumërimi i tij.
Sipas kryeministrit, periudha qershor 2006- prill 2009 është kompletimi më i suksesshëm i këtij procesi dhe këtë e bën të mundur para së gjithash shembja e murit të krimit të organizuar në Shqipëri dhe shndërrimi i Shqipërisë në një vend ndër më të sigurt në Evropë.
“Këtë e bënë të mundur shembja e sistemit të kleptokracisë në Shqipëri dhe shpallja e qeverisë shqiptare kampione e reformave në luftën kundër korrupsionit. Këtë e bënë të mundur edhe zgjedhjet e 2007, në të cilat qeveria tregoi në mënyrë të prerë se nuk do të ndërhynte dhe nuk ndërhyri në rezultatin e tyre pavarësisht nga defektet e pamohueshme, por jo çështje vullneti. Këtë e bënë të mundur reformat e thella dhe të gjithanshme, reforma të cilat bënë që ekonomia shqiptare sipas parashikimeve të 6 institucioneve më serioze të botës të listohet e para për rritjen e saj në vitin 2009. Këtë e bënë të mundur politika paqësore e dialogut, e mirëkuptimit, rajonale dhe më gjerë që ka ndjekur qeveria jonë”, tha Berisha.
Reformat strukturore të ndërmarra nga qeveria në fushën ekonomike, bëjnë të mundur qe vendi të mos preket nga kriza financiare globale. Kryeministri Sali Berisha tha dje se nëpërmjet politikave të shkëlqyera të ndjekura nga qeveria, kanë bërë që Shqipëria të mos kaplohet nga kriza sepse në 2008-ën vendi ynë ka hyrë si vendi me nivelin më të ulët të taksave në Evropë, sepse në 2008 investuan në infrastrukturë për nevojat  e vendit, pothuajse dyfishin që investonte qeveria që vinte pas Shqipërisë.
“Këto politika kanë bërë që, me gjithë sirenat e pikëllimit që i dëgjojmë nga disa eksponentë të opozitës se ka krizë, Shqipëria të mos ketë krizë. Shqipëria mund të ketë pasoja dytësore, por unë ju garantoj se shumë shpejt Shqipëria do të rinjohë një dimension të madh tjetër të investimeve. Janë në prag të inaugurimit të fillimit të punimeve rreth 15 hidrocentrale, të cilët punësojë dhjetëra mijëra qytetarë shqiptarë. Janë në prag të fillimit të gjitha akset e shkurtra kombëtare të vendit, të cilat punësojnë me mijëra e mijëra qytetarë”, u shpreh kryeministri.
Berisha theksoi më tej se qeveria disponon buxhet të plotë për t’iu përgjigjur në çdo qindarkë dhe me miliarda të gjitha projekteve të mëdha që nisin këtë vit dhe për të përfunduar ato që janë në vazhdim, për të dyfishuar rrogat e mësuesve, rrogat e mjekëve , rrogat e infermierëve, pensionet në fshat për të rritur në mënyrë thelbësore pensionet në qytet.
“Pra nuk ka ardhur nga qielli ky moment historik. Ky erdhi si rezultante e suksesit të madhe të padiskutueshëm  të reformave të gjithanshme. Ka mbarësi edhe më të madhe se koinçidon pikërisht me samitin e Strasburgut. Ky samit është ngjarja më e madhe në historinë kombëtare për shqiptarët pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë”, tha kreu i qeverisë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›