Don Kishoti, sançopançot dhe Dylqinja, çojnë rraqe-akuzat në Gjykatën e Lartë
Pas rrënimit profesional në Gjykatën e Apelit, Don Kishoti i drejtësisë dhe Dylqinja e Prokurorisë, me gjithë sançopançot e vet, ka bërë rekurs në Gjykatën e Lartë, lidhur me ligjërimin e hetimeve ndaj Lulzim Bashës, përtej afateve të përcaktuara nga ligji. Dosja duket sikur është dorëzuar nga juristë-ligavecë, sepse edhe juristë të pakualifikuar e marrin me mend se çështja s’ka asnjë gjasë të merret në konsideratë Ligavecët e sistemit tonë të drejtësisë jo vetëm që nuk duan të dinë për standardet ndërkombëtare të profesionit të tyre, por përpiqen me çdo kusht që meskinitetin e tyre ta imponojnë si një normë që duhet zbatuar këtej ndër ne, këtej nga zonat ish-komuniste, ku s’ka nevojë të merren parasysh shumë standarde. Por situata është përkeqësuar më tej dhe përplasja e haxhiqamilistëve të drejtësisë me ata që kanë ende si normë standardet ndërkombëtare është acaruar më fort, qëkur Don Kishoti i drejtësisë dhe Dylqinja e Prokurorisë u kanë dhënë vetes prerogativa personale dhe nisin e ndeshen me mullinjtë e erës, pse kujtojnë se nga beteja do të mund të kenë përfitime personale. Një shembull flagrant i kësaj sjellje të anti-drejtë, është rekursi që sançopançot e Dylqinjës së Prokurorisë (mund të thoshim edhe rronçobonçot), kanë kryer ndaj vendimit të formës së prerë të Gjykatës së Apelit të kryeqytetit, e cila i shpalli si të paligjshme të gjitha hetimet e kryera ndaj Lulzim Bashës, pas 6 nëntorit të shkuar, e afërmendsh edhe klasifikimin e paskësajdate, kur ai merret si i pandehur. Nuk do as mend e as kalem se asnjë ndryshim substancial procedure nuk mund të vihet re në një çështje aq të njohur e aq të mediatizuar. Por sançopançon kanë ende atë logjikën e strucit se nëse fusin kokën në rërë, askush nuk i tregon me gisht; pra nëse bëjnë një rekurs dhe e zgjasin agoninë, Dylqinja nuk do të mundet të identifikojë se janë ata njerëzit që kanë dështuar në rastin konkret, dhe është institucioni i Dylqinjës, ai që po turpërohet e s’mund t’ia dalë assesi, me procese të montuara e fabula që vetëm me procedurën e hetimit nuk kanë lidhje. Tashmë kur është parë edhe seanca e parë gjyqësore e shqyrtimit të çështjes ndaj deputetit Lulzim Basha, merret me mend se shanset që rekursi t’u zgjasë jetën (profesionale) sançopançove të Dylqinjës së Prokurorisë së Përgjithshme janë zero, e po ashtu edhe gjasat që ligavecët e prokurorisë të munden disi të imponohen në debatin profesional të reformës në drejtësi. Ajo që mbetet është fakti se Don Kishoti i Drejtësisë dhe Dylqinja e Prokurorisë së Përgjithshme nuk do të marrin asnjë rezultat nga përcjellja e rraqe-akuzave për në Gjykatën e Lartë. Edhe një jurist fillestar e kupton se asgjë s’del nga kjo procedurë e se çdo punë të mirë e të drejtë në çështje procedurale e ka kryer Gjykata e Apelit, por tashmë jemi në fazën e inkurajimit, në fazën e sançopançove, e Don Kishotëve që s’meritojnë të jenë aq idealistë dhe e Dylqinjave që s’janë aq të pashme sa është ngritur idili i figurës së bukur.
...