E Diel, 1 Nëntor 2026

Rruga e hapur drejt BE-së, Shqipëria paraqet kërkesën brenda 28 qershorit

Kryeministri Sali Berisha u ka dhënë fund hamendjeve dhe spekulimeve mediatike lidhur me kërkesën e Shqipërisë për të marrë statusin e vendit kandidat për në BE, duke konfirmuar se Brukseli ka dhënë zyrtarisht mesazhin e mikpritjes. Qeveria pritet ta dorëzojë kandidaturën në Bruksel, brenda 28 qershorit, pra brenda Presidencës çeke

TIRANE - Qeveria shqiptare dorëzon së shpejti në Bruksel, kërkesën e aplikimit për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Kreu i qeverisë Sali Berisha, u shpreh dje gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Demokratike, se brenda Presidencës çeke, Shqipëria do të paraqesë kërkesën për statusin e vendit kandidat.
“Shqipëria tani i ka të gjitha rrugët e hapura që brenda Presidencës çeke të paraqesë  kërkesën për statusin e kandidatit. Se mund të shtyhet pak është normale. Ne i mirëkuptojmë miqtë, por brenda Presidencës çeke ne do ta paraqesim aplikimin dhe e meritojmë plotësisht për faktin se përfundoi tërësisht Marrëveshja, edhe raporti i Komisionit Evropian është i tillë që jep dritën jeshile tërësisht për Shqipërinë, ndaj dhe u ndala më shumë në këtë moment sepse edhe ky është një moment historik, është një hap jashtëzakonisht i madh në drejtim të realizimit të projektit tjetër madhor të kombit për këtë shekull; anëtarësimi i Shqipërisë në BE”, u shpreh kryeministri.
Berisha theksoi më tej, se muaji prill do të shënohet në historinë e kombit dhe të vendit si muaji më historik pas nëntorit.
“Vendi mik Greqia ka dorëzuar në Bruksel me 26 shkurt, Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit të ratifikuar dhe notifikuar. Në përputhje me ligjet e Bashkimit Evropian na takon ekzaktësisht në periudhën e Samitit të Strasburgut që Marrëveshja e Stabilizim Asociimit mes Bashkimit Evropian dhe Shqipërisë të hyjë në fuqi”, tha Berisha. Sipas kryeministrit, në këtë kohë merr forcë, kontrata më e rëndësishme që Shqipëria ka firmosur ndonjëherë me Bashkimin Evropian.
“Shqipëria me hyrjen në fuqi të Marrëveshjes është një vend i asociuar, i cili do të veprojë tërësisht dhe detyrimisht mbi bazën e kësaj kontrate. Deri më sot ajo ka qenë vullnet, tani ajo është shndërruar në detyrim. Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit në fuqi parakupton një marrëdhënie ligjore dhe të gjithanshme të një niveli të ri me Bashkimin Evropian, por është një rast për të shprehur mirënjohjen dhe falënderimet 27 vendeve anëtare të këtij bashkimi që në një kohë rekord ratifikuan këtë marrëveshje, për 27 qeveritë dhe 27 parlamentet e këtyre vendeve, forcat e tyre politike në parlament ku shprehën me nota pozitive vlerësimet më të mëdha për reformat dhe suksesin e reformave të kësaj qeverie dhe e  votuan këtë marrëveshje në unison të plotë”, nënvizoi kreu i qeverisë.
Gjatë Presidencës Çeke për shkak të hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me Bashkimin Evropian, krijohet dhe mblidhet Këshilli i Stabilizim Asociimit me Shqipërinë, këshill që do të patronojë respektimin dhe konsolidimin e të gjitha detyrimeve që rrjedhin nga kjo marrëveshje për vendin tonë, këshill që do të ketë degëza në të gjitha institucionet e vendit.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›