E Diel, 1 Nëntor 2026

Gërdec, shoqërohen 7 vetë, po vidhnin gëzhoja

Shtatë persona janë shoqëruar në policinë e kryeqytetit, pasi janë kapur duke vjedhur gëzhoja në kraterin e Gërdecit. Të dyshuarit, të cilët kishin udhëtuar me dy makina dhe që po i mbushnin me gëzhoja janë kapur mesnatën e djeshme nga forcat e policisë dhe të ushtrisë që kanë qenë me detyrë në vendin e shpërthimit. Burimet zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Tiranës bënë të ditur se strukturat e Komisariatit nr. 6, kanë shoqëruar shtatë persona, të cilët u kapën duke vjedhur gëzhojat në kraterin e fshatit Gërdec. Sipas policisë, ata qëndruan të shoqëruar në ambientet e këtij komisariati nga ora 01.00-05.00 të ditës së djeshme dhe iu dërguan materialet prokurorisë për fillimin e hetimit për konsumim të veprës penale të "vjedhjes së mbetur në tentativë". "Të shoqëruarit janë Naim Dojku, 31 vjeç, lindur në Kukës dhe banues në Marqinet, Ardian Serjani, 48 vjeç, banues në Fllak-Durrës, të cilit iu bllokua mjeti tip "Ford", me targë TR9541A, Ahmet Dervishi, 23 vjeç, lindur dhe banues në adresën e mësipërme, Arnest Shala, 30 vjeç, banues në Qerret, i dënuar më parë për "vjedhje automjetesh", të cilit iu bllokua mjeti tip "BMW", me targa të huaja AD488DH, Astrit Haxhi Gashi, 32 vjeç, Enver Ymeri, 37 vjeç dhe Mustafa Shala, 53 vjeç, lindur në Kukës dhe banues në Fllak Durrës", deklaroi policia. Policia shtoi se të gjithë këta persona kanë vepruar në grup dhe tentuar të vjedhin gëzhojat në kraterin në Gërdec, që aktualisht ndodhen në ruajtje nga policia ushtarake.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›