E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria i merr Kuvendit 4 miliardë lekë

Qeveria ka rritur t‘i marrë Kuvendit të Shqipërisë fondin që ky i fundit i përdor në rastet e paqëndrueshmërisë ekonomike. Bëhet fjalë për 4 miliardë lekë (rreth 45 milionë dollarë), që qeveria do t‘i përdorë për raste emergjente. Kalimi i këtij fondi nga Kuvendi drejt qeverisë për të përballuar shpenzimet për dëmet e Gërdecit në shumën prej 600 milionë lekë, u bë sebep për debate mes opozitës dhe mazhorancës. Sipas deputetit të PS-së, Arben Malaj, qeveria nuk e ka të qartë koston financiare të Gërdecit e në këtë mënyrë, për 600 milionë lekë që i nevojiten, prek fondin e Kuvendit prej 4 miliardë lekësh. "Ose qeveria e di koston, por e fsheh atë për të ulur përmasat, ose qeveria me aktin normativ nuk kërkon shifrën konkrete, por kërkon të marrë të drejtën e përdorimit të 4 miliardë lekëve, që sipas ligjit të e buxhetit përdoren vetëm nga Kuvendi", tha Malaj. Një tjetër shqetësim për opozitën është prekja e fondit të krijuar nga donacionet e qytetarëve në mbështetje të familjeve të prekura nga fatkeqësia. "Qeveria, paratë e shqiptarëve në ndihmë të familjeve të Gërdecit po i përdor për të ulur kontributin që duhet të japë, në përballimin e tragjedisë, kur këto fonde duhet të kalojnë shtesë për kategorinë e prekur", shtoi Malaj. Ndërsa Erion Braçe vuri në dyshim mënyrën sesi po dëmshpërblehen familjet, duke iu referuar numrit të lartë të ankesave. Por sipas Ministrit të Brendshëm, Bujar Nishani, situata është plotësisht nën kontroll dhe 90 për qind e familjeve të prekura shprehen të kënaqura nga ndihma që iu është dhënë. "Për pjesën tjetër, qeveria do të marrë masat për një kompensim 100 për qind të vlerës së dëmtuar", vijoi Nishani. I të njëjtit mendim ishte edhe ministri i Punëve Publike, Sokol Olldashi, sipas të cilit procesi i verifikimit të dëmit dhe masa e dëmshpërblimit është kryer në bazë të ligjit. "Enti Kombëtar i Banesave ka marrë nivelin më të lartë të kompensimit për ndërtimin e objekteve të prishura, plot 25 mijë lekë për metër katror, aq sa përllogaritet për Tiranën", tha ministri. Kurse, Spartak Ngela, e zhvendosi debatin në një tjetër çështje, atë të tregut të sigurimeve, që nëse do të funksiononte ashtu siç duhet, do të kishte shmangur situatën e krijuar në këtë rast.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›