E Shtunë, 31 Tetor 2026

Biznesmenët e “piramidës” rrëzohen në Apel

• KORÇE - Gjykata e Apelit Korçë hedh poshtë kërkesën për ndryshim të masës së sigurisë për dy biznesmenët korçarë të arrestuar për mashtrim dhe krijim të firmave piramidale.

Kjo gjykatë ka lënë dje në burg biznesmenët Jani Lluka dhe Ilia Nikolla, të cilët u arrestuan më 1 mars, pasi kishin huajtur shuma të mëdha parash dhjetëra personave në qytetin juglindor si edhe në rrethe të tjera të vendit dhe nuk i kishin kthyer. Kjo shkallë e gjyqësorit la në fuqi vendimin e Gjykatës së Faktit për masën sigurie “burg për një muaj”. Seanca e djeshme është zhvilluar pas kërkesës së dy të pandehurve për ndryshimin e masës së sigurisë nga “arrest me burg për një muaj” në “arrest shtëpie”. Dy biznesmenët kanë kërkuar lirimin e menjëhershëm në sallën e gjyqit me pretendimin se ishin të pafajshëm dhe se nga qëndrimi në burg po iu cenohet aktiviteti privat. Avokatët e tyre kanë deklaruar se Lluka dhe Nikolla nuk kanë konsumuar vepër penale, mbasi huamarrja njihet me ligj. Ata u shprehën se dy biznesmenët kanë bërë një investim për një biznes të ri me vlerë 400 mijë euro. Ndërkohë që prokurorja e Gjykatës së Apelit, Irma Balli, ka pohuar se çdo ditë e më shumë po shtohen denoncimet e reja të shumë qytetarëve për dy huamarrësit. Ndër të tjera, Balli, ka deklaruar para trupit gjykues se po punohet ende për kompletimin e dosjes së akuzës ndaj dy të dyshuarve. Mësohet se masa e arrestit burg për një muaj për të pandehurit përfundon në datën 4 prill.                                                               j.gj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›