E Shtunë, 31 Tetor 2026

E vrasin pas joshjes me prostitutën

• Vranë berberin durrsak pranë ish-ambasadës jugosllave për grabitje, policia arreston prostitutën dhe tutorin e saj me akuzën e vrasjes për qëllime grabitjeje.

Dashamir Biçaku

 Albana Zenelaj, 37 vjeçe nga Vlora dhe Petrit Zoto, 38 vjeç nga Dhëmblani i Tepelenës, janë arrestuar nga zyra e hetimit të vrasjeve në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Dy të arrestuarit, sipas njoftimit zyrtar të policisë, dyshohet se kanë tërhequr pranë godinës së ambasadës ish-jugosllave, Gëzim Shullanin, më 4 mars të këtij viti. Zoto i kishte ofruar Shullanit, 37-vjeçaren Zenelaj, për të kryer me të marrëdhënie seksuale në ambientet e braktisura të ish-ambasadës, kundrejt një pagese. Pasi e kanë futur në atë zonë, të dy personat dyshohet se e kanë vrarë duke e goditur me sende të forta në trup dhe në kokë viktimën. Pas kësaj ngjarje, autorët e dyshuar i kanë vjedhur viktimës një pjesë të sendeve personale, si unazë, orë dhe një shumë parash prej 4 mijë lekë të reja. Dyshimet e hetuesve ishin se Shullani mund të kishte vdekur për shkak të ndonjë infarkti në zemër, ose për shkak të ndonjë goditjeje në kokë me sende të forta. Pas ekspertimeve të kryera në trupin e të vrarit, policia gjeti disa shenja të ndryshme të mbetura nga goditje të ndryshme. Po kështu nga pyetja e të afërmve është mësuar, se viktima mëngjesin e 4 marsit kishte dalë me disa sende personale që kishte pasur me vete, por që nuk i gjendeshin si dhe paratë. Analizimi i disa prej fakteve kanë shtyrë hetuesit që të dyshojnë se kishin të bënin me një vrasje dhe jo në të vërtetë me një vdekje aksidentale. Nga pyetja e disa dëshmitarëve dhe gjurmët e gishtërinjve të administruara në vendin e ngjarjes, policia ka gjetur të dhëna që provonin se vdekja e Shullanit ishte një vrasje. Gjurmët e gishtërinjve sipas burimeve të policisë të administruara në vendin e ngjarjes, janë përputhur me ato të një personi tjetër, pikërisht Petrit Zotos, nga Dhëmbëlani i Tepelenës. Agjentët e zyrës së hetimit të vrasjeve kanë mundur të zbulojnë vendndodhjen e të dyshuarit, i cili ishte i dënuar më parë për vjedhje dhe i shpallur në kërkim sërish për të njëjtin krim. Ata kanë mësuar se ai shoqërohej me Albana Zenelajn. Kjo e fundit punonte si prostitutë për llogari të tij, ndërsa së bashku ata kryenin grabitjen e klientëve. Pasi fusnin në kurth klientët, ata i kërcënonin dhe më pas i grabisnin. Burimet e policisë pohuan dje për gazetën “Panorama”, se ata kanë zbuluar se përveç Shullanit, të arrestuarit kanë grabitur edhe persona të tjerë. Tashmë ata po hetojnë edhe disa raste të tjera grabitjeje të kësaj natyre, për të cilat dyshohen Petrit Zoto dhe Albana Zenelaj. Gëzim Shullani, 53 vjeç, nga Durrësi, u gjet i vrarë mëngjesin e 4 marsit të këtij viti pranë ish-ambasadës jugosllave në rrugën e Durrësit.

Autopsia tregonte për vrasje
Ekspertimi mjeko-ligjor i kryer nga specialistët përkatës në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ka zbuluar se Shullani nuk kishte vdekur për shkak të ndonjë aksidenti apo vdekjeje natyrale. Sipas mjekëve ligjorë, viktima kishte marrë disa goditje të ndryshme në kokë dhe në trup, që hidhnin poshtë mundësinë e një vdekjeje aksidentale.

4 mijë
lekë dhe disa sende personale i kanë vjedhur Gëzim Shullanit, dy të arrestuarit e djeshëm që akuzohen për vrasjen e tij, me sende të forta, pasi ishte joshur për marrëdhënie seksuale nga Albana Zenelaj

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›