E Shtunë, 31 Tetor 2026

Diplomat false, gati 5 fletë-arreste

• ELBASAN - Hetimet për diplomat false presin dhe 5 fletë-arreste për zyrtarë në Qarkun e Elbasanit. Skandali i diplomave të falsifikuara me vulën e universitetit “Aleksandër Xhuvani”, i zbuluar vitin e shkuar nuk ka përfunduar ende.

Grupi i hetimit që po merret me këtë çështje paralajmëron arrestimin e nëpunësve të lartë shtetërorë, të cilët kanë përfituar vendet e punës me anë të diplomave false. Lajmi në fjalë konfirmohet nga burime zyrtare të Drejtorisë së Policisë në Elbasan, sipas të cilëve këta zyrtarë prej 5 vitesh po i përdorin ato, duke përfituar shtesë në pagat bazë në institucionet ku punojnë. Siç pohojnë burimet, këta persona, që aktualisht mësohet se punojnë në sektorë të ndryshëm të administratës kanë mundur t’i sigurojnë diplomat në Fakultetin e Mësuesisë, dega Cikël i Ulët, falë pagesave që u kanë bërë 2 sekserëve. Dhe këta të fundit, sipas policisë, janë të identifikuar dhe po mblidhen të tjera prova për të kryer prangosjen e tyre. Nisur nga të dhënat që disponon policia dhe prokuroria e Elbasanit, numri i diplomave të lëshuara për persona që kurrë nuk kanë shkuar në auditorët e universitetit, arrin deri në 180. Deri tani janë verifikuar 125 prej tyre, nga të cilat 3 kanë dalë të falsifikuara, ndërsa të tjerat janë në verifikim mbi mënyrën e lëshimit, duke bashkëpunuar me universitetin. Hetimet janë shtrirë në disa institucione dhe në disa qytete, ndërsa pritet që të vihen nën akuzë jo vetëm përdoruesit e diplomave, por dhe ata që kanë kryer vulosjen e tyre, kundrejt tarifave që variojnë deri në 8 mijë euro. Në shënjestër të hetimit të sektorit ekonomik janë dhe pedagogët e universitetit “Aleksandër Xhuvani”, të dyshuar se mund të jenë ndërmjetës në lëshimin e diplomave për personat e interesuar. Deri tani të vetmit persona të akuzuar për falsifikim janë: 1 mësues në një fshat të Shkodrës, një drejtor në një shkollë 9-vjeçare të Krujës si dhe një nëpunës komune në Qarkun e Elbasanit.                                 a.k

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›