E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gërdeci, 15 miniprojekte në ndihmë të banorëve

Plot 15 miniprojekte për zhvillimin e zonës së Gërdecit, me vlerë monetare 15 000 euro do të prezantohen sot nga përfaqësuesit e Shërbimit Social Shtetëror në fshatin Marqinet. Sipas drejtuesve të SHSSH, "projekti i quajtur "Dorë më dorë" synon përkrahjen e familjeve në nevojë, veçanërisht atyre me fëmijë jetimë, me qëllim zbutjen e varfërisë dhe rimëkëmbjes ekonomike, duke përfshirë në to dhe vetë përfituesit, për përmirësimin e gjendjes".

Drejtori i Shërbimit Social Shtetëror, Mihal Naço, është shprehur se "faza e parë e zbatimit të miniprojekteve nisi më 2 tetor 2008 në Gërdec, ku u zbatuan 7 miniprojekte, që konsistonin në shpërndarjen e gjedheve për familjet në nevojë". Ndërsa shton se faza e dytë starton sot, ku do të shpërndahet një numër i konsiderueshëm gjedhësh dhe mekanikë bujqësore. "Po ashtu në projekt është parashikuar që të mbështetet financiarisht një fermer i zonës", konfirmon drejtori i SHSSH-së.

Përmes bashkëpunimit të një fondacioni privat mësohet se në planet e afërta është planifikuar që të zbatohen dhe 70 miniprojekte të tjera zhvillimi për familjet në nevojë dhe veçanërisht për ato familje që kanë fëmijë jetimë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›