E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pranga burrit, çoi gruan drejt vetëvrasjes

Një grua ka tentuar t‘i japë fund jetës, duke pirë benzinë pas dhunës së ushtruar nga bashkëshorti, ndërsa dy të tjera janë marrë në mbrojtje nga policia për të njëjtin motiv. Për rastin e parë, policia ka bërë ndalimin e bashkëshortit Xhemal Lika, ndërsa bashkëshortja e tij ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore. Policia e kryeqytetit shpjegoi se ndalimi i 41-vjeçarit, lindur e banues në Golem, u bë pasi në mënyrë sistematike ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes Merita Lika, 37 vjeçe. Në këto kushte, ajo ka pirë një sasi benzine dhe për këtë shkak ndodhet në spital në gjendje të rëndë për jetën. Policia shpjegoi se veç këtij rasti, janë marrë në mbrojtje edhe dy gra të tjera. Kështu, paraditen e djeshme, Manjola Doko, 25 vjeçe, banuese në rrugën "Irfan Tomini", iu plotësua kërkesë-padia për lëshimin e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes. Sipas policisë, ajo u mor në mbrojtje, pasi bashkëshorti i saj, Ferdinand Doko, 27 vjeç, i dënuar më parë për plagosje të lehtë, ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj saj. Gjithashtu, seksioni i mbrojtjes së të miturve dhe dhunës në familje i plotësoi një kërkesë-padi dhe mori në mbrojtje Irena Idrizin, 28 vjeçe, lindur në Elbasan dhe banuese në bulevardin "Bajram Curri". Sipas të dhënave të policisë, asaj iu plotësua kërkesë-padia për lëshimin e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes, pasi bashkëshorti i saj, Genti Idrizi, 33 vjeç, ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj saj, në mënyrë sistematike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›