E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Gërdeci”, 150 pyetje për ekspertët e dëmeve të shpërthimit

SHKRUAN: Leonard Bakillari 19-02-2011 09:56

Tiranë- Katër ekspertët që hartuan aktin mbi dëmet ekonomike të shkaktuara nga shpërthimi tragjik i Gërdecit, janë paraqitur në seancën e djeshme gjyqësore, për t’iu përgjigjur pyetjeve të të pandehurve. Sapo kanë hyrë në sallën e gjyqit, ekspertët janë përballur me një numër të madh pyetjesh, të cilat kryesisht kanë qenë të karakterit sqarues, pasi disa prej avokatëve kanë pasur paqartësi rreth të dhënave në akt-ekspertimin ekonomik. Duke parë numrin e madh të pyetjeve, katër ekspertët kanë kërkuar nga gjykata më tepër kohë, me qëllim që t’u përgjigjen me shkrim pyetjeve të avokatëve. Fillimisht ata kanë bërë betimin para gjykatës dhe më pas kanë marrë rreth 150 pyetje, të cilave do të duhet t’u përgjigjen deri të premten, kur gjykata ka caktuar edhe seancën e ardhshme ndaj 29 të pandehurve të akuzuar për tragjedinë e Gërdecit. Sipas avokatëve, pyetjet të cilave u janë drejtuar ekspertëve janë të karakterit informues, për pjesë, apo pasazhe të caktuara të akt-ekspertimit ekonomik, i cili bën një përmbledhje të dëmeve që janë shkaktuar gjatë procesit të demontimit dhe pas shpërthimit tragjik të 15 marsit të vitit 2008. Të gjitha pyetjet e bëra gjatë seancës së djeshme, që zgjati për rreth dy orë, janë pranuar nga ekspertët, të cilët, pasi bënë betimin, kërkuan që përgjigjet t’i sjellin me shkrim javën e ardhshme. Të njëjtën kërkesë avokatët kanë paraqitur edhe për akt-ekspertimin tekniko-ushtarak, duke kërkuar thirrjen në cilësinë e dëshmitarëve të ekspertëve që e kanë hartuar atë. Kjo kërkesë tashmë është pranuar nga gjykata, e cila në varësi të përgjigjeve të tyre do të vendosë edhe për një tjetër çështje të lënë pezull, të paktën momentalisht. Bëhet fjalë për thirrjen e 6 ekspertëve amerikanë të ATF-së, të cilët për rreth 10 ditë kanë ekspertuar vendin e ngjarjes në Gërdec, duke arritur në përfundimin se shpërthimi tragjik mund të ketë ardhur për të paktën pesë arsye. Sipas tyre, pista më e mundshme e shpërthimit ishte ajo e karrocës së salduar, pasi edhe elementet e mbledhura nga këqyrja e vendit të ngjarjes e kanë orientuar raportin drejt kësaj piste, por pa lënë jashtë vëmendjes katër variantet e tjera të mundshme si shkak të shpërthimit. Pikërisht ky fakt, ka nxitur avokatët mbrojtës të kërkojnë thirrjen në cilësinë e dëshmitarëve të 6 ekspertëve të ATF-së. Gjykata ka vendosur të mos shprehet për këtë çështje, të paktën për momentin, pasi pret të dëgjojë dëshminë e tetë ekspertëve vendës. Në varësi të efikasitetit që do të ketë kjo praktikë, do të vendosë nëse do të thërrasë ose jo ekspertët amerikanë si dëshmitarë në procesin “Gëdeci”. Një tjetër çështje e mbetur pezull, por që do të marrë zgjidhje nga një tjetër trup gjykues, është kërkesa e dy avokatëve për përjashtimin e kreut të togave të zeza, gjyqtarit Ridvan Hado. Avokati Maks Haxhia, që mbron të pandehurin Mihal Delijorgji, kërkoi përjashtimin e gjyqtarit Hado me argumentin se është treguar i njëanshëm gjatë gjykimit të deritanishëm. Kërkesa i është nënshtruar shortit elektronik, i cili ka përzgjedhur gjyqtaren Antonela Prendi për shqyrtimin e saj, ndërsa tashmë pritet vetëm vendimi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›