E Shtunë, 31 Tetor 2026

Interpoli, 3 vrasës mbërrijnë para drejtësisë

Interpol Tirana ka bërë të mundur ekstradimin e tre personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar për vrasje. Me anë të një njoftimi për shtyp, Policia e Shtetit bën të ditur se të ekstraduarit janë Gëzim Halitaj, Gëzim Muji dhe Laurent Çakollari, të ekstraduar respektivisht nga Belgjika, Italia e Anglia. Të tre të ekstraduarit ishin arrestuar rreth një vit më parë në shtetet respektive falë urdhër-arresteve ndërkombëtare, të lëshuar nga Policia e Shtetit. Polica bën të ditur se 42-vjeçari Halitaj ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Krujë, me vendimin të datës 11.01.1993, e ka dënuar atë me 25 vjet burg, për kryerjen e veprës penale të “Vrasjes me dashje”. I ekstraduari Gëzim Halitaj akuzohet se në datën 14.07.1992, rreth orës 20:15, si pasojë e një grindjeje të mëparshme, ka vrarë me armë zjarri dy shtetas, përkatësisht Gani dhe Ajet Halitin. Ndërkohë, përsa i përket të ekstraduarit tjetër, Gëzim Muji 36 vjeç nga Shkodra, mësohet se ndaj tij Gjykata e Shkodrës ka caktuar masën e sigurisë arrest me burg, për kryerjen e veprave penale “vrasje me paramendim “dhe “armëmbajtje pa leje”. Muji akuzohet se në datën 22 qershor 2001, në lagjen “Partizani” në Shkodër, ka vrarë me armë zjarri Vaid Mujaxhiun. Nga veprimet hetimore të kryera, ka rezultuar se vrasja ka ndodhur për motive hakmarrje. Ndërkohë, po dje, Interpol Tirana kreu ekstradimin nga Londra drejt Shqipërisë të Laurant Çakollarit, 35 vjeç, lindur në Korçë. Ky person ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin të datë 10. 12. 2003, ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg“ për kryerjen e veprave penale “Vrasje me paramendim“ e kryer në bashkëpunim, “Armëmbajtje pa leje“ dhe “Falsifikim i dokumenteve”. Tre të ekstraduarit i janë dorëzuar në aeroportin e Rinasit autoriteteve të Drejtorisë së Burgjeve, të cilët më pas kanë bërë të mundur dërgimin e tyre në burgjet ku do të vuajnë dënimet e dhëna nga drejtësia shqiptare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›