Ina Rama ngre në detyrë "konkurrentin" Hajdari
Transferohen 10 prokurorë. Shkëlqim Hajdari emërohet prokuror i Apelit
TIRANË- Presidenti i Republikës, Bamir Topi, me kërkesë të kryeprokurores Ina Rama, dekretoi pasditen e djeshme dhjetë transferime të prokurorëve nga rrethet e ndryshme. Kështu, sipas dekretit me nr. 5682 Presidenti Topi në mbështetje të kompetencave që i jep Kushtetua dhe ligji "Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë", të ndryshuar, me propozim të Prokurorit të Përgjithshëm, vendosi transferimin dhe ndërrimin e karrigeve për 10 prokurorë. "Në mbështetje të nenit 149, pika 3 të Kushtetutës si dhe të nenit 8, pika 2, gërma b të ligjit nr.8737, datë 12.02.2001 "Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë", të ndryshuar, me propozim të Prokurorit të Përgjithshëm, dekretohen 10 lëvizjet e prokurorëve nga një prokurori në tjetrën",-thuhet në faqen zyrtare të internetit të Presidentit të Republikës, Bamir Topi. Sipas kësaj liste, transferimi që bie në sy më shumë, është ai i prokurorit Shkëlqim Hajdari, i cili u transferua nga prokuror i Shkallës së Parë në prokurorinë e Apelit. Emri i këtij prokurori u përfol disa muaj më parë si kandidat potencial për Prokuror të Përgjithshëm, por, pas disa deklarimeve të tij në media, emri i tij u tërhoq nga lista e kandidatëve. Ndërkohë, në këtë listë prej 10 transferimesh vërehet edhe rikthimi i prokurorit Petrit Fusha në Prokurorinë e Tiranës, pasi vetëm pak ditë nga largimi i kryeprokurorit Thoedhori Sollaku ai u transferua për në prokurorinë e Shkodrës. Gjithashtu, në këtë listën e transferimeve ndodhet edhe emri i ish-prokurorit të rrethit Vlorë, Petrit Çano i cili nga Vlora u transferua në qytetin e Lushnjës, po me detyrë prokuror.
TRANSFERIMET
1. Shkëlqim HAJDARI, prokuror Tiranë, emërohet prokuror e Apelin e Tiranës
2. Artan MADANI, prokuror në Durrës, transferohet prokuror në Lezhë
3. Florian BONJAKU, prokuror në Lushnje, transferohet prokuror në Krujë
4. Erjon ÇELA, prokuror në Sarandë, transferohet prokuror në Vlorë
5. Petrit ÇANO, prokuror në Vlorë, transferohet prokuror në Lushnje
6. Petrit FUSHA, prokuror në Shkodër, transferohet prokuror në Tiranë
7. Ylli DHIMITRI, prokuror në Fier, transferohet prokuror në Kavajë
8. Durim BEDINI, prokuror në Elbasan, transferohet prokuror në Kavajë
9. Ritvan SUKA, prokuror në Tropojë, transferohet prokuror në Elbasan
10. Ndini TAVANI, prokuror në Lushnje, transferohet prokuror në Vlorë