"Gërdeci 2"
Me gjithë "autogolin" e Prokurores së Përgjithshme, Ina Rama, në lidhje me çështjen "Mediu", zyrtarët e akuzës qendrore duket se nuk janë dorëzuar pas vendimit të pardjeshëm të Gjykatës së Lartë që pushoi çështjen ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes për akuzën e "shpërdorimit të detyrës". Burime nga akuza qendrore thanë se janë disa variante për të kthyer hetimin dhe gjykimin e tij. Së pari është dërgimi i çështjes në Gjykatën Kushtetuese nga palët në proces. Në këtë rast mund të përdoren trashëgimtarët e viktimave të Gërdecit që mund të ankimojnë çështjen në Gjykatën e Kushtetuese. Nëse Gjykata Kushtetuese vendos rikthimin e çështjes në Gjykatën e Lartë, atëherë ka një fije shprese për rikthimin e procesit. Varianti i dytë për prokurorinë është kryerja e një tjetër kërkese në Parlamentin e Shqipërisë për heqjen e imunitetit ndaj deputetit dhe ministrit Mediu. Për variantin e dytë do të përdorej dosja "Gërdeci 2", e cila është në hetim nga akuza qendrore. Por prokuroria nuk mund t‘i kërkojë Parlamentit heqjen e imunitetit për akuzën e "shpërdorimit të detyrës", por do të parashtronte kërkesën me akuzën e "falsifikimit të vulave dhe stampave" nga arkat me municione në Gërdec. Nëse Parlamenti do të vendoste që t‘i hiqte imunitetin për këtë akuzë, atëherë prokuroria do të ishte e lirë që të dërgonte sërish çështjen në Gjykatën e Lartë edhe për akuzën e "shpërdorimit të detyrës". Gjithsesi këto janë thjesht diskutime për çështjen "Gërdeci" në tërësi, e cila është ndarë në disa pjesë, pas vendimeve të Gjykatës së Lartë. Hetimi për "Gërdecin 2" konsiston në gjashtë pjesë. Municionet në një depo ushtarake në Durrës, aferat e fishekëve, trafiku i armëve, dosja "hije", përfitimet e zyrtarëve dhe roli i niveleve të dyta të ushtrisë janë gjashtë enigmat e Prokurorisë së Përgjithshme në lidhje me dosjen "Gërdeci 2", e cila është ende nën hetim.