E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjendet i vdekur pas 11 vitesh i riu nga Kukësi

Një histori e dhimbshme shqiptare është zbuluar pas një dekade në Itali. Një familje shqiptare që 11 vjet më parë dërgoi djalin e saj përtej detit, nuk ka reshtur përgjatë gjithë kësaj kohe së kërkuari. Por, tani mësoi se pikërisht pas mbërritjes në Itali, ai ka humbur jetën në një aksident tragjik. Vetëm pas një dekade kësaj familjeje nga Vranishti i Kukësit i shuhen shpresat për ta gjetur të gjallë, ndërsa dhe më i dhimbshëm është fakti që prej kaq kohësh trupi i tij është prehur në tokën italiane, nën një tjetër identitet. Historia nis në vitin 1998, kur Besnik Paca, vetëm 17 vjeç u nis drejt Italisë për një jetë më të mirë. I riu vdiq në një aksident hekurudhor, por drama nuk përfundoi këtu. Në këtë kohë, në Itali u gjet një dokument i lëshuar nga autoritetet serbe, që fliste për një qytetar kosovar me të njëjtin emër Besnik Paca, që kishte lindur në Gjakovë. Duke iu referuar këtij dokumenti autoritetet italiane të zonës së Barletës e varrosën djaloshin fatkeq si shtetas kosovar. Më pas ngjarja merr një drejtim krejt tjetër. Policia shqiptare nëpërmjet Interpolit shpall në kërkim shqiptarin Besnik Paca, i lindur në Vranisht të Kukësit, pasi në vitin 1998, familja kishte humbur kontaktet me të. Policia italiane merr në dorë edhe një filmim të të afërmve te Besnikut dhe e krahason me një foto në varrin e të riut kosovar në Itali dhe lindin dyshimet se bëhet fjalë për të riun shqiptar. Më pas, dy të afërm të Besnikut nga Londra konfirmojnë se viktima i varrosur si shtetas kosovar është pikërisht Besniku nga Shqipëria.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›