Mesazhe për zgjedhjen në krye të Kuvendit
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, vazhdon të marrë mesazhe dhe letra të shumta urimi nga kryetarë të Parlamenteve të rajonit, Europës për rizgjedhjen në krye të Kuvendit të Shqipërisë. Në letrën e tij të urimit, kryetari i Senatit të Cekisë, Premysl Sobotka, i shpreh Kryetares së Kuvendit përgëzimet e tij në emër edhe të anëtarëve të Senatit çek. Ndërsa Kryetari i Këshillit Kombëtar të Palestinës, Salim Al-Zaanoon, përmes një letre të dërguar, i shpreh Kryetares së Kuvendit konsideratat më të larta dhe urimet më të sinqerta për zgjedhjen për herë të dytë në këtë post. "Ky është një tregues që fakton besueshmërinë e lartë që ju gëzoni", shkruan ai. Ky është gjithashtu një rast i mirë për të forcuar marrëdhëniet dypalëshe midis Parlamentit tuaj dhe Këshillit Kombëtar të Palestinës, të cilat e kanë bazën në lidhjet tona miqësore që ekzistojnë me Republikën e Shqipërisë, qeverinë, popullin dhe Parlamentin e saj. Një letër urimi i ka ardhur Kryetares së Kuvendit edhe nga Unioni i Bashkësive Shqiptare në Kroaci, ku ndër të tjera shkruhet: "Jemi të bindur se Kuvendi i Shqipërisë demokratike nën drejtimin Tuaj do t‘i realizojë të gjitha synimet nga veprimtaria e tij, për të realizuar qëllimin madhor; anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Ju dëshirojmë sukses në punën Tuaj me rëndësi të madhe kombëtare".