Ish-ministrat nuk braktisin zyrat. Gati për ceremonitë
Kjo është java e fundit për tetë ish-ministrat e kabinetit të vjetër "Berisha". Përpos faktit se përbërja e kabinetit të ri qeveritar është bërë publike që prej datës 10 shtator, asnjë prej ministrave që nuk u rikonfirmuan në detyrën e tyre nuk ka braktisur zyrën. Ish-ministrat kanë bërë gati gjithashtu edhe ceremoninë e ndërrimit të detyrave për t‘u lënë poltronin ministror pasardhësve të tyre. Në kabinetin e qeverisë së integrimit europian hyjnë katër ministra të rinj si Arben Imami, Ferdinand Xhaferraj, Spiro Ksera dhe Myqerem Tafaj. Një pjesë e tyre do të dorëzojnë mandatin përpara fundjavës dhe një pjesë tjetër në ditën e parë të javës që vjen. Ish-ministrat e vjetër do të lënë si trashëgimi për ministrat e rinj projektet që kanë përgatitur për dikasteret e tyre. Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, ministri i Mjedisit, Lufter Xhuveli, ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, ministri i Punës, Viktor Gumi, ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, ministri i Arsimit, Fatos Beja, kanë vazhduar detyrën edhe pasi nuk janë rikonfirmuar nga Kryeministri Berisha në qeverinë e re. Përveç Godos dhe Xhuvelit, pjesa tjetër e ish-ministrave do t‘i rikthehen detyrës së deputetit dhe zhvillimeve të Kuvendit. Pas betimit në Presidencë, anëtarët e rinj të qeverisë "Berisha" do të ulen në poltronin e ministrit. Ish-ministrat e vjetër të qeverisë "Berisha" kanë ideuar një ceremoni për dorëzimin e detyrës së tyre dhe dhënien e mesazhit të mirëseardhjes për të përzgjedhurit e rinj nga Kryeministri Berisha. Në kabinet është shtuar një ministri, e cila do t‘i ketë zyrat pranë Këshillit të Ministrave dhe do të mbajë lidhjet mes Parlamentit dhe Ekzekutivit. Ministria e Shtetit do të drejtohet nga Genc Pollo, i cili do të ketë të njëjtën përgjegjësi si më parë, me një ndryshim të vetëm se posti i zëvendëskryeministrit është përkthyer me atë të ministrit të Shtetit. Ministrat e ‘vjetër‘ janë në orët e fundit në institucionet që kanë drejtuar gjatë mandatit të parë të mazhorancës demokratike. Pas betimit në Presidencë të pasardhësve të tyre, të gjithë do të jenë të detyruar të dorëzojnë çelësat e zyrës. Të njëjtat përgatitje i kanë bërë tashmë edhe stafi politik, i cili ka bashkëpunuar me ministra e vjetër. Një pjesë e ministrave që kanë bërë rotacion brenda kabinetit nuk kanë nguruar të spostojnë edhe sendet e tyre të para, për në zyrën e tyre të re. Ish-ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, do të ulet në karrigen e ministrit të Drejtësisë, ish-shefi i diplomacisë, Lulzim Basha do të drejtojë Dikasterin e Ministrisë së Brendshme. Ndërkohë që Genc Pollo nuk do ta ketë të nevojshme për të bërë spostime të mëdha, pasi pritet të qëndrojë në të njëjtën zyrë dhe sërish brenda selisë së Këshillit të Ministrave. Të vetmit ministra që janë rimandatuar në qeveri janë Sokol Olldashi, Majlinda Bregu dhe Ridvan Bode. Ministrat që kanë bërë rotacion brenda kabinetit janë Lulzim Basha, Bujar Nishani dhe Genc Pollo.