E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi rrit gradat për pesë ushtarakë të lartë

Pas firmosjes së dekreteve për kabinetin e ri qeverisës, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka hedhur firmën dje në pesë dekrete të tjera. Ai ka firmosur dhënien e gradave të rolit madhor për pesë ushtarakë të lartë të Forcave të Armatosura. Lajmi bëhet i ditur nga zyra e shtypit e Presidencës, e cila njofton se në mbështetje të nenit 92, paragrafi "d" dhe 93 të Kushtetutës së Shqipërisë, me propozim të ministrit të Mbrojtjes, Presidenti Bamir Topi dekretoi kolonel Xhemal Gjunkshin, me gradën madhore gjeneral brigade. Kolonel Dhori Spirollari, i jepet grada madhore gjeneral brigade. Kapiten i Rangut I, Kristaq Gërvenji, i jepet grada madhore kundëradmiral. Kolonel Abaz Lleshi i jepet grada madhore gjeneral brigade. Kolonel Sandër Lleshi i jepet grada madhore gjeneral brigade. Një javë më parë, po me kërkesë të ministrit të Mbrojtjes, Presidenti Topi ka firmosur disa dekrete të tjera për shkarkime dhe emërime në radhët e ushtrisë. Nëpërmjet dekretit të tij, me kërkesë të Ministrisë së Mbrojtjes, kreu i shtetit ka lëvizur nga detyra tre ushtarakë të lartë të Shtabit të Përgjithshëm. Me firmë të tij Presidenti Topi ka firmosur largimin nga detyra e komandantit të Forcës Mbështetëse, gjeneral brigade Vladimir Qirjazi, të cilin e ka emëruar në detyrën e zëvendëskomandantit të Komandës së Forcave Bashkuara, të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›