Gërdeci, 3 muaj hetime shtesë për Mediun
Kryeprokurorja Ina Rama shtyu afatin e hetimit për ish-ministrin e Mbrojtjes dhe dy ish-zyrtarët nën hetim
“Bankat nuk na kanë sjellë përgjigje për llogaritë e Mediut. Numri i dëshmitarëve është i madh”
TIRANË- Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, i zgjat afatet hetimore edhe për tre muaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Burimet zyrtare pranë organit të akuzës pohuan se me kërkesë të drejtuesit të grupit hetimor për zbardhjen e tragjedisë së Gërdecit, prokurorit Zamir Shtylla, kryeprokurorja Rama ka firmosur zgjatjen e afateve hetimore për deputetin pa imunitet, Mediu dhe dy ushtarakët që hetohen në gjendje të lirë. Shkak për këtë zgjatje të afateve hetimore, sipas burimeve nga prokuroria, janë bërë vështirësitë e hasura gjatë hetimit të veprimeve dhe mos veprimeve të ish-ministrit Mediu në lidhje me ngritjen, furnizimin e deri tek shpërthimi i punishtes së çmontimit të municioneve në fshatin Gërdec. Gjithashtu mësohet se janë hasur vështirësi edhe në verifikimin e llogarive bankare nën emrin e deputetit Mediu dhe pjesëtarëve të familjes së tij të ngushtë, pasi akoma të gjitha filialet e bankave që janë në Shqipëri nuk i kanë sjellë të dhënat në lidhje me pasuritë e Mediut.
“Që nga dita e heqjes së imunitetit nga Kuvendi për deputetin Fatmir Mediu, hetuesit e kësaj tragjedie kanë hasur vështirësi në kryerjen e detyrës së tyre për hetimin e çështjes, pasi personat që duhen pyetur për veprimet dhe mos veprimet e punës së deputetit Mediu janë të shumtë dhe nuk mjafton koha për marrjen e tyre në pyetje, në një afat të shkurtër. Në cilësinë e personave që kanë dijeni për veprimet e ish-ministrit të Mbrojtjes janë marrë në pyetje vetëm ish-gjenerali Shpëtim Spahiu, sekretari i përgjithshëm dhe një pjesë e stafit të kabinetit”,-pohuan burimet e Prokurorisë së Përgjithshme. Mësohet se edhe në bankat e nivelit të dytë ka pasur vështirësi, pasi nuk u janë përgjigjur në kohë kërkesave të prokurorisë.
Me zgjatjen e afateve hetimore edhe për tre muaj ndaj deputetit Mediu dhe dy ish-vartësve të tij, Dashnor Çaushaj dhe Sokol Ngjeçi, hetimet ndaj tyre do të vazhdojnë deri në muajin tetor. Ndaj tre personave në hetim, prokuroria ka ngritur akuzat e “shpërdorimit të detyrës” dhe “shkeljes së rregullave për ruajtjen dhe sigurinë e lëndëve plasëse”. Ndërkaq, ndaj tre të pandehurve të arrestuar: Mihal Delijorgji, Dritan Minxolli dhe Ylli Pinari rëndon prej disa ditësh akuza e “vrasjes në rrethanat cilësuese” në bashkëpunim, për shpërthimin e ish-repartit të tankeve në Gërdec, ku mbetën të vrarë 28 persona dhe mbi 300 të tjerë u plagosën.