E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gërdeci, Berisha: SHISH e SHIU, reformim të thellë

TIRANË- Ngjarja e Gërdecit duket se i ka shërbyer mazhorancës qeverisëse si alibi për të futur në “dorë” edhe institucionin e fundit të pavarur kushtetues, Shërbimin Informativ Shtetëror (SHISH). Kryeministri Sali Berisha, duke bërë përgjegjëse pikërisht shërbimet inteligjente për mungesën e reagimit në parandalimin e tragjedisë së Gërdecit, ka paralajmëruar dje “furtunën” më të fundit “reformuese” atë në Shërbimin Informativ Shtetëror dhe Shërbimin Informativ Ushtarak (SHIU). E ndërsa reformimi i SHIU-t nuk përbën problem për shumicën pasi është pjesë përbërëse e strukturës së Ministrisë së Mbrojtjes, dhe për të ndërhyrë në të do të mjaftonin vetëm urdhrat e titullarit të kësaj ministrie, e njëjta gjë nuk mund të thuhet për SHISH-in, i cili është institucion i pavarur kushtetues dhe për të miratuar ndryshimet në të do të kërkohej një shumicë e cilësuar votash në Kuvend, të cilat mazhoranca nuk i ka.
Deklarata
Një javë pas tragjedisë, kryeministri Sali Berisha duke analizuar situatën ka theksuar nevojën që krahas masave për përballimin e situatave, të hidhen dhe hapat për penalizimin dhe reformimin e atyre institucioneve të cilat gjatë kësaj ngjarje treguan se nuk ishin në lartësinë e duhur. Këtu ai ka bërë të qartë se vëmendje do ti kushtohet reformimit të institucioneve që garantojnë sigurinë në vend, siç janë shërbimet inteligjente. “Përveç përgjegjësive personale ekzistojnë përgjegjësitë institucionale, të cilat ju siguroj ju se si këtu dhe në çdo vend tjetër kanë vetëm një përgjigje reformimin dhe vetëm reformimin”, u shpreh Kryeministri Berisha. Sipas tij, institucionet që garantojnë sigurinë kombëtare duhet të jenë më fleksible dhe më bashkëpunuese me njera-tjetrën si e vetmja mënyrë për të parandaluar ngjarje të tjera si ajo e Gërdecit. “E them këtë jo për të shmangur përgjegjësitë personale e individuale, por problemi është se duhet të parandalohen situata të tilla dhe në qoftë se ne duam që sistemi ynë i sigurisë të jetë tjetër, të gjitha institucionet e sigurisë kombëtare duhet t`i nënshtrohen një reforme të thellë”, - tha kryeministri.
Reformimi
Pavarësisht vendosmërisë për të kryer reformën e paralajmëruar, kryeministri Berisha nuk I është përgjigjur pyetjes së gazetarëve nëse kjo reformë do të përfshijë të gjithë mënyrën e organizimit dhe veprimit të SHISH-it, apo do të mbetet ashtu si dhe në rastin e Prokurorisë së Përgjithshme vetëm tek ndryshimi i titullarit. I pyetur në lidhje me këtë çështje kryeministri u përgjigj se “Institucionet duhet të funksionojnë dhe secili duhet të mbajë përgjegjësinë e tij. Por, nuk u ndërmorën këto reforma situata të tilla mund të përsëriten në mënyrë periodike”, u shpreh Kryeministri Berisha. Ndërkohë që vetëm pak ditë më parë drejtori i SHISH, Bahri Shaqiri i thirrur për të raportuar në komisionin parlamentar të sigurisë kombëtare hodhi poshtë çdo përgjegjësi në lidhje me këtë ngjarje. Ai bëri të qartë se detyra e informimit për këtë çështje i përkiste SHIU-t.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›