E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekspertët e FBI-së, të mërkurën në Tiranë

TIRANË- Ambasada e SHBA-së në Tiranë njoftoi dje Prokurorinë e Përgjithshme se të mërkurën zbresin në Rinas 6 ekspertë të FBI-së, të specializuara për të identifikuar kufomat dhe këqyrjen dhe analizimin e vendit të ngjarjes. Sipas njoftimit zyrtar të ardhur nga zyra e shtypit, pranë kryeprokurores Ina Rama, saktësohet se është konfirmuar ndihma e autoriteteve të SHBA-së për zbardhjen e ngjarjes në Gërdec të Vorës. “Në përgjigje të kërkesës së Prokurores së Përgjithshme, Ina Rama, pak ditë më parë, drejtuar për ndihmë autoriteteve të SHBA-ve, në kuadër të hetimeve për ngjarjen në fshatin Gërdec, dje ka ardhur edhe konfirmimi zyrtar. FBI-ja ka miratuar ardhjen e gjashtë ekspertëve të saj, të cilët do të ndihmojnë në identifikimin e kufomave si dhe të këqyrjes e analizimit të vendit të ngjarjes. Ata pritet të bëjnë një studim të plotë kriminalistik të vendit të ngjarjes”,-thuhet nga ky njoftim. Sipas këtyre burimeve mësohet se ekspertët e përcaktuar nga FBI-ja për të ardhur në Shqipëri janë marrë me çështje të ngjashme dhe janë të specializuar në këto lloj ngjarjesh. “Pas konfirmimit të ardhjes së gjashtë ekspertëve, të cilët do të ndihmojnë në këqyrjen e vendit të ngjarjes, mbërritja e tyre në Shqipëri pritet të jetë ditën e mërkurë paradite”-thuhet nga burimet të cilët nuk japin detaje të hollësishme për ekspertët, duke mos bërë të ditur emrat e tyre. Sipas këtyre burimeve, shkaku i thirrjes së këtyre ekspertëve është bërë përshpejtimi i hetimeve dhe nxjerrja e përgjegjësve kryesorë të kësaj tragjedie me përmasa të mëdha, ku humbën jetën deri më tani 21 persona, disa të tjerë të zhdukur dhe mbi 250 të plagosur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›