Delijorgji, ortak me Zotin e Luftës
Zbulohet lidhja në Shqipëri e njeriut të hetuar nga disa organizma, Henri Tomei për armët në Kabul
TIRANË- I arrestuari për tragjedinë e Gërdecit, Mihal Delijorgji, aksioner edhe në firmën qipriote “Evdin ltd”. Pas zbulimit të medias se fantazma amerikane “Southern Ammunition” zotëronte vetëm 25 % të aksioneve të “Albademil”-it të Delijorgjit, prokuroria ka zbuluar një tjetër aferë të dyshimtë në kontratën e dytë të MEICO-s, që nuk lidhet me fabrikën e Gërdecit, por me armët që përfundonin në Afganistan. Kompani të lidhura me njëra-tjetrën si rrjeta merimangash, ku nuk mungon asnjëherë Delijorgji kanë firmosur kontrata milionëshe me ndërmarrjen shtetërore MEICO, duke e bërë gjithnjë e më të dyshimtë procesin e tregtisë së armëve.Në një hetim paralel me tragjedinë e Gërdecit, prokuroria ka ngritur dyshimet se i arrestuari Mihal Delijorgji është ortak edhe me përfaqësuesin e firmës qipriote “EVDIN ltd”, Henri Tomei, i njohur si “Zoti i Luftës” dhe i hetuar nga disa organizma për trafik ndërkombëtar armësh.
***
“Nga sekuestrimi i disa dokumenteve në shtëpinë e Mihal Delijorgjit është gjetur një shkresë, ku rezulton se i arrestuari për Gërdecin, Mihal Delijorgji është aksioner me 20 % tek kompania “EVDIN ltd”-pohuan dje për “Shekullin” burime nga grupi hetimor. Organet hetimore janë duke verifikuar dokumentacionin e gjetur, por nisur nga praktika për kontratën në Gërdec, duket se është përdorur e njëjta strategji që implikon edhe një tjetër herë marrëdhëniet e ngushta mes Mihal Delijorgjit dhe Ylli Pinarit. Nga ana e tij, Ylli Pinari nuk ka firmosur një kontratë direkte me kompaninë amerikane AEY, që ka fituar tenderin për furnizimin me armë të ushtrisë së Afganistanit, por me Henri Tomein, i cili është prezantuar në Tiranë si komisioner i AEY, në një kohë që ishte ortak me Delijorgjin.
***
Shtetasi zviceran, Henri Tomei, i njohur edhe me emrin Heinrich Thomet është personazh mjaft i njohur në tregun botëror të armëve. I hetuar nga Departamenti Amerikan i Mbrojtjes, i hetuar nga Amnesty International dhe nga shumë agjenci të huaja, ai është pranuar nga qeveria shqiptare si një njeri “i besuar” për të kryer tregtinë e municioneve shqiptare, në furnizim të ushtrisë amerikane në Afganistan. Nga dokumentet që “Shekulli” disponon, MEICO nuk ka firmosur një kontratë direkte me AEY, por me të ashtuquajturin Henri Tomei, edhe pse e kaluara e tij është shumë e dyshimtë. Shfaqja e Tomeit në skenë ka shkaktuar dyfishimin e çmimit të municionit, pasi sipas kontratave me MEICO-n, Tomei e blinte një arkë fishekësh me 22 dollarë dhe ia shiste AEY-së me 40 dollarë. Emri i tij është shfaqur pothuajse në të gjitha skandalet botërore të trafikut të armëve, por kjo duket se nuk e ka shqetësuar aspak qeverinë shqiptare, që vazhdon të ngulmojë se kontrata me amerikanët është e rregullt.
AFERAT
Kontratat e MEICO-s me firmat fantazmë Roli i sekserit “EVDIN LTD” me seli në Qipro dhe me pronar Heinrich Thomet dukej fantazmë dhe tepër i dyshimtë. Por hetimet po sqarojnë se pas lidhjes së Tomeit me MEICO-n ndodhet sërish Mihal Delijorgji. “Evdin” ka hyrë në marrëveshje me qeverinë shqiptare duke bërë një rritje tepër të madhe të çmimit origjinal të municioneve ushtarake që ishin të destinuara për ushtrinë amerikanë në Irak dhe Afganistan. Çmimi fillestar i produktit ishte 22 dollarë amerikanë, por me ndërhyrjen e “EVDIN LTD” si ndërmjetës, çmimi u rrit duke arritur 40 dollarë amerikanë. Pra vetëm ndërhyrja e tij dhe tarifa e “sekserllëkut” ka kushtuar 18 dollarë. Vetë Kosta Trebicka pranoi se Diverolit i ishte kërkuar nga Delijorgji të bënin një kontratë të re, por me një çmim prej 18 dollarësh më shumë, çka lë të kuptohet se edhe firma qipriote ishte kopertura për të justifikuar çmimin e fryrë dhe përfitimet e paligjshme të personave të tretë, jo palë në kontratë. Henri Tomei, i cili njihet edhe me emrin Heinrich Thomet, është shfaqur fillimisht në skenën shqiptare si përfaqësues i firmës “EVDIN LTD” me qendër në zonën off-shore të Qipros . Ai njihet edhe si përfaqësues, themelues dhe pronar i firmës zvicerane “Brugger & Thomet” si dhe firmës “AG BG International” por në shumë raste të tjera, ai njihet si aksioner kryesor i një sërë firmash të implikuara në trafikuin e armëve në vendet në konflikt dhe nën embargon e OKB-së.