Qeveria zbardh skemën për kompensimin e dëmeve
Për bizneset do të merren për bazë edhe deklaratat financiare të bëra pranë tatimeve
Qeveria ka bërë të ditur gjatë ditës së djeshme, skemën e cila do të përdoret për të kompensuar shtëpitë e shkatërruara dhe të dëmtuara në Gërdec. Sipas Drejtorit të Entit Kombëtar të Banesave, Ilir Proko, për vlerësimin e banesave do të përdoret Kostoja Mesatare në Ndërtim e nxjerrë nga ky institucion, si dhe vendimet e marrë nga ana e Këshillit të Ministrave për koston mesatare të ndërtim në Tiranë. Mënyra e vlerësimit të dëmeve është sqaruar edhe nga ana e zv/ministrit, Gazmend Oketa. “Janë rreth 1500 dosje për çdo pasuri që ka pësuar dëme, duke u përcaktuar hollësisht nëse janë dëme të rënda, të mesme dhe të lehta. Për çdo dosje do të ketë një vlerësim të veçantë, ndërsa ato banesa që kanë dëme të rënda do të ndërtohen në bazë të kostos së tregut në Tiranë. Për 1500 dosjet, kanë punuar rreth 20 grupe pune, me një numër total të punësuarish që shkon në 60 vetë. Të dhënat për këto ndërtime janë me anë të fotove dhe të dhënave të hollësishme dhe të gjitha vlerësimet janë të firmosura nga personeli përgjegjës, që mban përgjegjësi për këto vlerësime”, - tha Oketa.
Kompensimi për dëmet
Sipas kostos mesatare në ndërtim, të nxjerrë nga Enti Kombëtar i Banesave, të gjitha shtëpitë që janë shkatërruar, do të marrin një dëmshpërblim prej 25-30 mijë lekë të reja për metër/katror. Kjo i përket rastit kur një banesë nuk është më e banueshme dhe është e vlerësuar e tillë nga grupet e inspektimit në terren të Agjencisë së Legalizimit. Kështu, sipas të dhënave, një shtëpi me një sipërfaqe prej 100 metër/katror do të ketë një kompensim prej 2.5 milionë lekë të reja. E njëjta llogaritje do të realizohet edhe për të gjitha sipërfaqet e shkatërruara tërësisht në këtë zonë. Ndërsa, përsa i përket ndërtesave që do të riparohen pjesërisht, edhe për këto, çmimet për çdo punim do të jenë të llogaritura në bazë të çmimeve mesatare të nxjerra nga ana e Entit Kombëtar të Banesave. Ndërsa përsa i përket orendive dhe pajisjeve të tjera të dëmtuara, ato do të dëmshpërblehen rast pas rasti me çmimet e tregut.
Dëmet e biznesit
Përsa i përket biznesit, kompensimi do të realizohet sipas një urdhri të ministrit të Financave, të nxjerrë posaçërisht për shkatërrimet në Gërdec dhe në zonën përreth shpërthimit. Sipas këtij urdhri të Bodes, parashikohet që në të gjitha grupet e inspektimit, të ketë inspektorë të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe Drejtorisë së Tatimeve Tiranë. Në kompensim do të përfshihen të gjitha dëmet e sipërmarrjes, për të cilat këto të fundit nuk kanë qenë të siguruar pranë kompanive të sigurimeve. Urdhri i ministrit të Financave parashikon që për vlerësimin e dëmeve të merren parasysh edhe deklarimet e aseteve që këto biznese kanë bërë pranë tatimeve, si dhe gjithë aktiviteti i tyre. Në bazë të këtyre deklarimeve do të realizohet edhe kompensimi, që do të përfshijë edhe mungesën e aktivitetit për shkak të shkatërrimit të pasurisë, si edhe humbjet e tjera që vijnë nga shpërthimi. Por të gjithë zërat që përfshihen në fitimin e munguar të biznesit, parashikohen që të kompensohen nga ana e qeverisë me anë të zbritjes në detyrimet e tyre kundrejt tatim-taksave. “Të mbahen procesverbale konstatimi për bizneset që kanë ndërprerë aktivitetin e prodhimit për shkak të dëmeve, mungesës së energjisë elektrike, si edhe rrethanave të tjera që mund të kenë lidhje me ngjarjen. Për të gjitha rastet e konstatuara, administrata Tatimore të kryeje zhdëmtimet përkatëse në këstet e paradhënies së Tatim-Fitimit si dhe kontributeve të Sigurimeve Shoqërore dhe Shëndetësore për periudhat në vijim, duke konstatuar në dosjet respektive çdo sistem dhe veprim të realizuar”, - thuhet në udhëzimin e ministrit të Financave. Njëkohësisht, grupet e punës që do të bëjnë vlerësimin, do të japin një vlerë të dëmit për metër/katror në këto sipërmarrje, si edhe dokumentimi e tyre me anë të fotove dixhitale dhe të procesverbaleve të ndryshme.