Topalli: Tragjedia, përgjegjësi e shtetit
TIRANË- Gjatë vizitës së zhvilluar paraditen e djeshme në fshatin Gërdec, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli ka deklaruar se një ngjarje e tillë ka nxjerrë në pah vërtetësinë se segmente të caktuara të shtetit kanë qenë të dobëta. Topalli ka kërkuarbashkëpunim me forcat politike të opozitës me qëllim që në Kuvend të ndryshojnë ligje, zbatimi i të cilave do të sillte edhe parandalimin e situatave të tilla. “Kjo ngjarje na ka bërë të gjithëve të mendojmë fort, të reflektojmë thellë. Kjo është një ngjarje e rëndë që tregoi se segmente të caktuara të shtetit kanë qenë të dobëta. Më takon të them se ka përgjegjësi në hierarkinë e shtetit që nis nga Kuvendi, Presidenca, Qeveria, Ministria e Mbrojtjes e me radhë. Duhet të bashkëpunojnë të gjitha forcat politike në parlament, për të ndryshuar shumë ligje që institucionet tona,të mund të parandalojnë situata të tilla. Kuvendi, Presidenca, Qeveria, Ministria e Mbrojtjes”,- tha dje Topalli. Ashtu si edhe Berisha dy ditë më parë, edhe Kryetarja e Kuvendit ka kërkuar reforma të thella në dy institucionet që praktikisht kanë raportuar se nuk kanë pasur asnjë informacion mbi atë, që ndodhte ne Gërdec, pikërisht për SHISH dhe SHIU. “Të funksionojë siç duhet, agjencitë e ndryshme, SHIU dhe SHISH-i të informojnë kur duhet. Inspektoriatet që kanë qenë jashtë funksionittë tyre, të gjithë t’i nënshtrohen reformave. Është detyrë e Kuvendit, e liderëve kryesorë të forcave politike, të bashkohen për një reformë të madhe shtetërore, aty ku është e domosdoshme, të ndërhyjmë me reforma, sepse nuk mund të ndodhë në një RepublikëParlamentare që Kryeministri të këtë duart e lidhura e të mbesë pa kompetenca. Duhet të bëjmë reforma qëKuvendi, Presidenti i Republikës, si Kryetar i Forcave të Armatosura, Qeveria, Kryeministri e kështu me radhë, të kenë kompetenca të ndara e të qarta”, tha Topalli. Kryetarja e Kuvendit theksoi se ndryshimi i ligjeve është thelbësor në këtë drejtim. “Sepse nuk ndryshohen institucionet thjesht duke ndryshuar njerëzit, por duke ndërhyrë në pikat e dobëta të mekanizmit të shtetit”, shtoi ajo. Kryetarja e Kuvendit mbështeti punën e bërë nga ushtarët, forcat e Xhenios, djemtë e RENEA-s duke nënvizuar edhe një herë se mobilizimi i shtetit do të vijojë me ritme të shpejta për normalizimin e situatës në Gërdec. Gjatë vizitës së paradites, Topalli takoi banoret duke ndjekur nga afër në të njëjtën kohë edhe zbatimin e masave të ndërmarra për normalizimin sa më të shpejtë të situatës.