Topi dekreton Oketën si Ministër i Mbrojtjes
TIRANË- Presidenti i Republikës, Bamir Topi ka dekretuar propozimin e kryeministrit
Berisha për të emëruar Gazmend Oketën në postin e ministrit të Mbrojtjes. Përpara se të bënte dekretimin për emërim, presidenti Topi ka dekretuar shkarkimin e Fatmir Mediut duke sjellë më pas në postin e këtij të fundit Gazmend Oketën. Gjithashtu kreu i shtetit ka firmosur edhe dekretin për shkarkimin e Oketës nga posti i zëvendës-kryeministrit, post të cilin e mbante që nga pranvera e shkuar. Lëvizjet në kabinetin qeveritar u bënë të detyruara për kryeministrin Sali Berisha, pas tragjedisë së ndodhur një javë më parë në bazën ushtarake të Gërdecit pranë Vorës, tragjedi për të cilën Ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu mori përgjegjësitë e veta duke dhënë dorëheqjen. Ndërkohë kandidatura e kryeministrit Sali Berisha për emrin e Gazmend Okëtes në postin e kreut të forcave ushtarake u miratua tre ditë më parë nga kryesia e Partisë Demokratike. Menjëherë pas këtij takimi kryeministri Berisha deklaroi vendimin për të kaluar Oketën nga posti i zëvendës-kryeministrit në atë të ministrit të Mbrojtjes. Tashmë pritet që dekretimi i presidentit për emërimin e ministrit të ri të Mbrojtjes të kalojë për miratim në Kuvend. Nuk dihet ende se cili do të jetë roli që do të kryejë tashmë Partia Republikane në koalicionin qeverisë, pasi me dorëheqjen e Mediut ajo mbetet e pa përfaqësuar në rang ministri. Megjithatë një situatë e tillë pritet të zgjasë vetëm për pak ditë, pasi burime pranë mazhorancës konfirmojnë se pas samitit të Bukureshtit ku Shqipëria pret të marrë ftesën për NATO, pritet të bëhet dhe një rikompozim më i gjerë i kabinetit qeverisës, për të plotësuar jo vetëm postin e zëvendëskryeministrit i cili tashmë ka mbetur vakant, por edhe për të bërë ndryshime në disa ministri. Ndryshimet në kabinet vijnë në një kohë kur opozita ka kërkuar me forcë largimin e vet kryeministrit Sali Berisha.