E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deformim i bipolarizimit

Nga Mero Baze

Unë jam një mbështetës i bipolarizimit në skenën politike, dhe kam mbështetur një sistem që do na prodhonte dy forca të konsoliduara që nuk janë pengje të tekave të aleatëve të vegjël. Dhe kjo bindje më është forcuar duke parë sharlatanizmat e partive të vogla këto 18 vite, dhe tekat e tyre që i ngjajnë një spiraleje në ngjitje duke pushtuar hapësira politike jolegjitime për ta. Por debati për Kodin Elektoral tregon se dy liderët kryesorë që e nisën këtë proces me ndryshimet kushtetuese, nuk e kanë patur mendjen te bipolarizimi, por te spastrimi i fushës me ligj nga të pabindurit e së majtës dhe së djathtës. Ata do t’i mbajnë sërish në lojë ata që na kanë neveritur rregullat e lojës për 18 vite. Rama dhe Berisha janë të gatshëm të na mbajnë në lojë gjithë kryetarët fantazmë të partive të themeluara që më 1991 në Shqipëri, mjafton që ata të futen në rresht me ta. Berisha do të na bëjë deputet Fatmir Mediun, megjithëse njerëzit mund t’i tundin portretet e 26 të vrarëve në Gërdec, është gati të bëjë deputet gjithë kryetar-partizat që ka rreth vetes, mjaft që ata të jenë brenda koalicionit të PD. Dashamir Shehin, që del vetë pa ndihmë të tij deputet në Tiranë, do ta pengojë doemos, duke e detyruar të mbledhë dhjetë mijë firma me noterë që të regjistrohet në zgjedhje. Edi Rama po ashtu. Dhe ai nuk është për një sistem bipartizan. Dhe ai është dakord të bëjë deputet gjithkënd nga të majtët që ka në koalicion, pavarësisht peshës së tyre specifike, por kërkon doemos të pengojë konkurrimin normal të Ilir Metës për interesa të tij. Pra, këta të dy nuk janë për një sistem bipartizan. Këta janë për një sistem bi-servil, ku të gjitha fytyrat e tranzicionit të jenë sërish në Kuvend, por me leje të tyre. Ata po përpiqen të emërojnë parti politike dhe politikanë dhe ky është regres. Këtu ata zbulojnë veten se nuk janë parimorë në gjithë këtë histori dhe ndëshkimin e parë të hidhur nga ky produkt do ta marrë ai që do të humbasë në qershor, Rama, ose Berisha. Të nesërmen e humbjes, sistemi do të punojë kundër tij.

Një fenomen i dytë që po vihet re është loja e Berishës në emër të Ramës dhe loja e Ramës në emër të Berishës dhe për defektet reale të Kodit. Kryeministri, Sali Berisha, po përpiqet të mbajë distancë nga debati, duke lënë të kuptohet se ky është një debat i së majtës. Beteja e Ilir Metës dhe një sërë partive të tjera aleate me të, për të drejtën e përfaqësimit në komisione zgjedhore, po përdoret si një mënyrë për ta bërë të pariparueshme ndarjen mes PS dhe LSI, çka është dhe i vetmi plan biznesi që shumica në pushtet ka për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Vetë Berisha nuk po shprehet rreth kërkesave të tyre, duke i qëndruar deklaratës së vjetër të tij se ia lë në dorë opozitës të zgjedhë me çfarë përmbajtje të Kodit Elektoral do të hyjmë në zgjedhje. Në të vërtetë kjo distancë i jep atij dy lehtësira të mëdha: Së pari, kënaq Edi Ramën, i cili e ka betejë finale mospasjen nëpër këmbë të Ilir Metës dhe, së dyti, sigurohet se kjo betejë do ta ndajë në mënyrë të pariparueshme të majtën shqiptare. Duke e bërë këtë betejë në emër të konsensusit me Edi Ramën, Sali Berisha arrin rezultat maksimal nga ky proces me një kosto të ulët politike nga e djathta, pasi pas kësaj mund t’i detyrojë fraksionet e pabindura të futen nën ombrellën e koalicionit të përbërë të PD. Arsyetimi i tij joformal me ta është se ai është i gatshëm t’i ndihmojë, por është një proces që e ka nisur me PS dhe “ai është njeri që i mban marrëveshjet”. Në këtë pozicion komod ai mund të shkojë drejt miratimit të Kodit Elektoral dhe pas asaj të nisë betejën reale elektorale me një opozitë të ndarë keqas.

Por ajo që nuk po llogarit Sali Berisha është klima parazgjedhore dhe besimi te procesi. Nëse Ilir Meta dhe partitë që e mbështesin arrijnë të shkaktojnë një zemërim politik në vend, ose të bllokojnë procedurat parlamentare qoftë dhe në rrugë të dhunshme, ai rrezikon të njollosë PD dhe qeverinë me paaftësinë për të mbajtur një proces zgjedhor të rregullt, të lirë dhe të drejtë. Edi Rama natyrisht që do të shikojë interesin e tij, por ai nuk është përgjegjës për zgjedhjet. Përgjegjëse për zgjedhjet është qeveria dhe çdo cenim i tyre, sikundër paralajmëruan dhe diplomatët evropianë, do të bënte që Shqipëria të kthehej shumë mbrapa. Arroganca ndaj disa kërkesave legjitime mund t’i kushtojë atij më shumë sesa konsensusi për disa interesa themelore për të dhe kundërshtarin e tij. Drejtësia e një procesi verifikohet lehtë dhe te pamundësia që i bëhet një kandidati të pavarur për të konkurruar, apo një force jo-parlamentare. Mbyllja e dyerve për të futur prurje të reja në politikë, jashtë dy ofertave kryesore, është një dimension i madh padrejtësie në Kod që po bëhet me vullnet dhe kjo do ta njollosë procesin. Pamundësia që LSI dhe LZHK, si dy forca respektivisht të majta dhe të djathta, të papërfaqësuara në komisione zgjedhore pa miratimin e PS dhe PD, është po ashtu një njollosje e rëndë e procesit. Por ashtu, sikundër ndarja PS-LSI është një problem i së majtës, i stimuluar me shumë dëshirë nga Berisha, ashtu dhe njollosja e procesit dhe instalimi i padrejtësive në të është një njollosje e zgjedhjeve dhe po stimulohet me dëshirë nga Edi Rama kundër Berishës. Kur procesi të njolloset dhe raporti të jetë negativ, ai që do të jetë përgjegjës për zgjedhjet do të jetë Sali Berisha dhe qeveria e Partisë Demokratike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›