Padia e familjes Berisha, Tahiri: Gjykata, notere e kryeministrit
Tiranë- Në Gjykatën e Tiranës u mbajt sot seanca e radhës ndaj deputetit Saimir Tahiri, i cili u padit nga fëmijët e kryeministrit, Argita dhe Shkëlzen Berisha. Tahiri pas përfundimit të seancës, që u zhvillua me dyer të mbyllura, akuzoi gjykatën se është kthyer në notere të kryeministrit dhe larg misionit për të dhënë drejtësi.
Fatkeqësisht, konstatoj se ky gjyq kundër fëmijëve të kryeministrit Argita dhe Shkëlzen Berisha, po kthehet në një farsë qesharake nga gjykata, e cila mesa duket është kthyer në notere të Saliut larg misionit të saj për të dhënë drejtësi. Vendimi i parë qesharak dhe absurd ishte nxjerrja e mediave dhe bërja e gjyqit sekret. Në një rast të paprecedent në praktikën e gjykatave shqiptare dhe në shkelje të ligjit, gjyqtari mori vendim për të nxjerrë mediat jashtë dhe për të bërë gjyqin me dyer të mbyllura. Vendimi dytë akoma më absurd ishte hedhja poshtë e listës së provave të cilën i kërkova të administrohen gjatë shqyrtimit gjyqësor, për të më dhënë mua mundësi të provoj deklaratat e mia pse Argita dhe Shkëlzen Berisha bashkë me babain e tyre janë të korruptuar- tha Tahiri.
I cili shtoi se gjykata më tha se ajo vetë nuk mund ti kërkojë institucioneve shqiptare as deklaratën e pasurisë së Shkëlzen dhe Argita Berishës, as Drejtorisë së Tatim-Taksave marrëdhënien financiare që kanë zyrat e tyre me shtetin shqiptar dhe taksat dhe tatimet që paguajnë, as të dhënat që kanë të bëjnë me procesin e Gërdecit dhe që sot administrohen në një proces tjetër gjyqësor e kështu me radhë. E akoma më absurde, Gjykata nuk lejoi thirrjen e dëshmitarëve me argumentin se nuk ka adresat. Unë kërkova në gjykatë dhe mora kohë që këto prova ti kërkoj vetë dhe institucioneve shqiptare do tia kërkoj zyrtarisht vetë këto prova, duke synuar që në këtë proces gjyqësor të bëjë çështë e mundur të bëhet drejtësi dhe të mos lejojë në asnjë mënyrë që gjykata të bëhet instrument në dorën e pushtetit të Sali Berishës dhe fëmijëve të tij. Ndërsa përsa i përket thirrjes së dëshmitarëve të cilët gjykata nuk i gjen dot do i gjej unë dhe do ia them gjykatës ku janë.
Tahiri ironizoi procesin kur bërë thirrje publike për dëshmitarët e tij: Madje meqë jam këtu, po i bëj thirrje publike dhe dëshmitarëve dhe gjykatës ti gjejë dhe ti kërkoj dëshmitarët në adresat që po deklaroj: Argita Berisha adresa 1 kat sipër shtëpisë së Sali Berishës, e ruan garda dhe ka gjykata ku ta gjejë. Shkëlzen Berisha vila në Mullet, ajo më e madhja dhe më e bukura. Damir Fazlliç gjendet lehtë sa herë ka tenderë publikë në kafen e Sheratonit. Mihal Delijorgji në arrest shtëpie. Fatmir Mediu në Ministrinë e Mjedisit. Aldo Bumçi në Ministrinë e Kulturës. Viktor Gumi në Kuvend. Ndërsa gjeneral Luan Hoxha këtë se gjej dot as unë, këtë nuk e ka gjetur dot as gjykata, ky është në arrati. Kështu që adresat ua dhashë publikisht, do i kërkoj zyrtarisht edhe nga posta shqiptare dhe do tia sjell gjykatës që ti thërrasë këta dëshmitarë në gjykim dhe të mos justifikohet me mosgjetjen e adresave të ministrave e të fëmijëve të kryeministrit.
Padia civile e fëmijëve të kryeministrit Berisha nëse do të pranohej nga gjykata do të hetonte: Biznesin e armëve në Gërdec, marrëdhëniet e biznesmenit Damir Fazllic me fëmijet e Berishës, bizneset e tij në Porto Romano, lidhjet e djalit të Berishës me biznesmenët e armëve dhe roli i tij në marrjen e vendimit për ndërtimin e kantierit të demontimit të armëve në Gërdec, lidhjet e tij dhe influenca në vendimet e qeverisë etj. Pasi deputeti Tahiri ka kërkuar që të merren në cilësinë e proves një sërë faktesh që sipas tij vërtetojnë se Shkëlzen Berisha është implikuar në afera korruptive. Seancën gjyqësore e kanë ndjekur sot deputetët socialistë Blendi Klosi, Besnik Baraj dhe Eduard Shalsi.
/IDEA/