Gërdeci, Gjykata e Lartë kthen dosjen për vrasje masive
TIRANË- Gjykata e Lartë kthen në shkallë të parë shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë së Përgjithshme për masën e arrestit të Mihal Delijorgjit, Dritan Minxollit dhe Ylli Pinarit, të akuzuar si përgjegjës për tragjedinë e Gërdecit. Sipas burimeve zyrtare nga Gjykata e Lartë mësohet se gjyqtari Gani Dizdari ka marrë në shqyrtim kërkesën për vlerësimin e arrestit dhe caktimin e masës së sigurisë ndaj tre të pandehurve, për akuzën e “vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”. Kjo kërkesë e prokurorisë nuk arriti të shqyrtohet, pasi avokatët mbrojtës të të pandehurve kërkuan nga Gjykata e Lartë të deklarojë moskompetencën e këtij institucioni për gjykimin e kësaj dosje. Sipas pretendimeve të mbrojtësve ligjorë të të pandehurve, Gjykata e Lartë nuk është kompetente për vleftësimin e arrestit. “Asnjëri nga tre këta të pandehur: Mihal Delijorgji, Dritan Minxolli e Ylli Pinari nuk plotësojnë kushtet e parashikuara në nenin 181 të Kushtetutës, nen ky që parashikon personat që duhet të gjykohen pranë Gjykatës së Lartë”,-pretenduan avokatët.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i prokurorit që përfaqësonte akuzën, sipas të cilit tre të pandehurit janë në të njëjtin procedim penal me deputetin Fatmir Mediu, edhe pse ky i fundit dyshohet vetëm për kryerjen e veprës penale të “shpërdorimit të detyrës”, ndaj edhe për këtë arsye duhet të gjykohen në Gjykatë të Lartë. Gjyqtari Gani Dizdari, pas dëgjimit të pretendimeve të palëve, vendosi të pranojë kërkesën e avokatëve duke e deklaruar këtë gjykatë jokompetente për gjykimin e çështjes. “Kërkesa e prokurorisë për vleftësimin e arrestit dhe caktimin e masës së sigurisë duhet të shqyrtohetpranë Gjykatës së Shkallës së Parë në kryeqytet, gjykatë e cila duhet të vendosë edhe për masat e sigurisë”,-tha dje gjyqtari Dizdari. Gjithashtu mësohet se seanca gjyqësore e shqyrtimit të kësaj kërkese është zhvilluar me dyer të mbyllura, duke mos lejuar asnjë nga palët e interesuara të ndjekin gjyqin.
Vetë të pandehurit kanë refuzuar të paraqiten para gjykatës, duke i dhënë të drejtë avokatëve të tyre t’i përfaqësojnë me të gjitha të drejtat që u ofron ligji. Mësohet se vetëm i pandehuri Mihal Delijorgji ka pranuar të lërë qelinë për pak minuta, për të firmosur fletë-thirrjen e dërguar nga ftuesi i Gjykatës së Lartë, ndërsa Pinari dhe Minxolli nuk kanë preferuar të firmosin as këtëfletë-thirrje. Sipas Prokurorisë së Përgjithshme, tre të pandehurit Delijorgji, Minxolli dhe Pinari akuzohen për veprat penale të “vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”, kundër dy ose më shumë personave; në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave të tjerë, që nëse deklarohen fajtorë për këto akuza dënohen me burgim jo më pak se 20 vjet ose me burgim të përjetshëm, ndërsa mbi Pinarin rëndon akuza e “shpërdorimit të detyrës” ndërsa Minxhollit i është shtuar edhe akuza e “armëmbajtjes pa leje”. Sipas prokurorisë, në ditët në vazhdim, kërkesa e prokurorisë do të dorëzohet pranë Gjykatës së Shkallës së Parë ku do të kryhet vleftësimi i arrestit dhe caktimi i masës së sigurisë.
NENI 79, germa dhë
Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese; e kryer me dashje kundër dy ose më shumë personave në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave të tjerë, dënohet me burgim jo më pak se njëzet vjet ose me burgim të përjetshëm
Prej dy muajsh nuk mblidhen ekspertët, për të rivlerësuar dëmet në 60 shtëpi të Gërdecit
Dëmet në Gërdec, policia zvarrit grupin e ekspertëve
TIRANË- Ministria e Brendshme zvarrit ngritjen e një grupi prej 6 ekspertësh për rivlerësimin e dëmeve pasurore në 60 familjet e fshatit Gërdec dhe Marqinet. Ky lajm konfirmohet nga burimet zyrtare pranë prokurorisë së kryeqytetit, të cilët shtuan se prej dy muajsh hetimet për ekspertët e vlerësimit të dëmeve të ngritura menjëherë pas shpërthimit të ish-punishtes së Gërdecit kanë mbetur pezull, pasi Ministria e Brendshme nuk ka gjetur dhe nuk ka caktuar ekspertët e vlerësimit të dëmeve në 60 objektet e kundërshtuara nga pronarët. Sipas burimeve nga institucioni i Ministrisë së Brendshme, mësohet se efektivët e policisë së shtetit nuk kanë ekspertë të tjerë, përveç atyre që tashmë janë nën hetim për vlerësimin e gabuar të dëmeve të shkaktuara nga shpërthimi i 700 tonëve barut në ish-punishten e çmontimit të municioneve në fshatin Gërdec. “Prokuroria e Tiranës, pas regjistrimit të procedimit penal ndaj 12 ekspertëve të ALUIZN-it dhe Bashkisë së Vorës, të cilët muaj më parë ishin ngarkuar nga qeveria shqiptare për të vlerësuar dëmet e shkaktuara nga shpërthimi i fabrikës së Gërdecit, ka kërkuar nga policia e shtetit të ribëjë këqyrjen e 60 objekteve të pretenduara për parregullsi dhe të përpilojë një raport përfundimtar mbi vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga ky shpërthim”,-thanë burime nga prokuroria. Prokuroria ka kërkuar nga Ministria e Brendshme ngritjen e një grupi pune prej 6 ekspertëve, të cilët pas këqyrjes së këtyre objekteve dhe pronave të fshatarëve të firmosnin dhe të përpilonin secili nga një raport përfundimtar mbi dëmet. Por edhe pse kanë kaluar dy muaj, efektivët e policisë së shteti nuk kanë mundur të gjejnë dhe të caktojnë 6 ekspertët për të rivlerësuar dëmin, ku raporti i tyre do të ishte përfundimtar edhe për ngritjen ose jo të akuzave ndaj 12 ekspertëve nën hetim”,-thuhet nga burimet e Prokurorisë së Përgjithshme. Gjithashtu, mësohet se në mes të këtyre 12 ekspertëve ndodhen edhe dy personat, të cilët nuk kanë pranuar të firmosin raportin, pasi sipas tyre vlerësimi ishte fals. Mësohet se dy ekspertët që nuk kanë pranuar të firmosin janë marrë në pyetje, ku kanë dhënë pretendimet e tyre për vlerësimin e kryer nga “kolegët” e tyre. Sipas këtyre burimeve, nga hetimet paraprake ka rezultuar se me veprimet dhe mosveprimet e kryera nga dy grupet e vlerësimit të ndarë në dy grupe nga 6 veta, ekzistojnë elementë të veprës penale të “shpërdorimit të detyrës” në 60 raste. Grupet e vlerësimit kanë nënvlerësuar dëmet reale, duke shkruar në procesverbalet e dëmeve të evidentuara shumë më pak se sa ishin realisht, vlerësim ky që ka irrituar banorët e zonës, të cilët në disa raste dolën në protesta duke bllokuar edhe autostradën Tiranë – Durrës.