Rama: Lufta kundër korrupsionit, Berisha gënjeu
TIRANË- Partia Socialiste i konsideron të pavërteta deklaratat e kryeministrit Sali Berisha për arritjet e qeverisë së tij në luftën kundër korrupsionit. Një ditë pasi kreu i ekzekutivit bëri një përmbledhje të gjatë të gjithë veprimtarisë së qeverisë në arritjet antikorrupsion, kryetari i partisë Socialiste Edi Rama në një dalje të posaçme për mediat ka akuzuar atë si gënjeshtar dhe mashtrues të opinionit publik nëpërmjet servirjes së të dhënave të paqena. “Dje në orët e darkës kryeministri hyri direkt në shtëpitë e shqiptarëve me një konferencë shtypi që do ta kishte pasur zili edhe Fidel Kastro, qoftë për nga ora e zgjedhur, qoftë për nga kohëzgjatja e jashtëzakonshme dhe qoftë për nga thellësia e hendekut ndarës mes atyre që Sali Berisha tha dhe realitetit të keqqeverisjes së tij. Sali Berisha derdhi mbrëmë një lumë gënjeshtrash, faktesh të rreme, shifrash të pavërteta. Ndër të tjera foli për hipjen e Shqipërisë drejt majave të botës për arritjet kundër korrupsionit, për futjen e Shqipërisë ndër 10 të parat e botës për arritjet në reforma, për qeverinë e tij si kampione e botës në një betejë ku në fakt qeveria e Sali Berishës është turpi i botës”, - tha Rama gjatë fjalës së vet. Duke bërë një ballafaqim të shifrave, shefi i selisë rozë ka deklaruar se ndryshe nga vlerësimet e kryeministrit, qeveria aktuale është kampione e varfërisë dhe e korrupsionit. Sipas tij, statistikat e dhëna nga kryeministri janë të deformuara dhe nuk japin një pasqyrim të saktë të situatës që mbizotëron sot në vend në të gjitha sektorët. “Sali Berisha u përpoq të kapej si i mbyturi pas fijes së barit në fakte dhe shifra të deformuara tërësisht, për të mbuluar me tym propagandistik faktet rrëqethëse të jetës së përditshme shqiptare, që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me Sali Berishën personalisht e me qeverinë e tij të kapur në rrjetën e interesave personale, klanore e klienteliste të kryeministrit e të ministrave të tij”, - shtoi Rama. Më tej ai ka theksuar se, “kreu i qeverisë u tall me 104.625 punonjësit buxhetorë duke i gënjyer për rritjen e rrogave të tyre pa llogaritur ato që pasi ua quan si rritje, ua merr drejtpërdrejtë me taksën e sheshtë, ua merr çdo ditë me më shumë tatim mbi vlerën e shtuar për çdo kg bukë, për çdo litër vaj, për çdo kilovat energji elektrike, për çdo litër naftë, ua merr me librat e fletoret e fëmijëve që deri dje i merrnin falas dhe me analizat e me ilaçet që spitalet e Sali Berishës e kanë për detyrë t'i ofrojnë falas, por që nuk gjenden dhe nuk bëhen dot falas në asnjë prej spitaleve të tij”.