E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrasja në kazino, burg pa afat policit të FNSH-së

TIRANË- Gjykata e Tiranës vendosi të lërë në qeli me masën e sigurisë “arrest me burg” deri në përfundim të hetimeve ish-efektivin e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, Kastriot Stojanin. I akuzuari për vrasjen e 45- vjeçarit Muharrem Litaj u përball dje me gjykatën, duke shprehur pendesë për krimin. Avokati mbrojtës, gjatë fjalës së tij ka kërkuar nga gjykata që ndaj klientit të tij të jepet një masë sigurie më e butë, pasi vrasja ka ardhur nga pakujdesia dhe gjatë goditjeve të njëri-tjetrit me grushte. Në përfundim të pretendimeve të të dyja palëve, gjykata caktoi masën e sigurisë “arrest me burg” ndaj të arrestuarit Stojani, për akuzën e “vrasjes me dashje”. Ish- efektivi i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë,Stojani, akuzohet si autor i vrasjes me armë zjarri të 45- vjeçarit Muharrem Litaj, pas një grindjeje në një lokal lojërash fati pranë Stacionit të Trenit. I dyshuari për kryerjen e këtij krimi është dorëzuar në polici, ku i janë vendosur prangat vetëm pak minuta pas ngjarjes, ndërkohë që efektivët e policisë i kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale armën e tij e punës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›