E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Gërdeci", Kuvendi zvarrit qëllimisht imunitetin e Mediut

Lëvizja "Mjaft" akuzon anëtarët e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin në Kuvendin e Shqipërisë se po zvarrisin në mënyrë të qëllimshme heqjen e imunitetit të ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu.

Me anë të një deklarate të shpërndarë dje, drejtori i zyrës së shtypit të lëvizjes "Mjaft", Ervin Qafmolla, shprehet se "lëvizja ‘Mjaft‘ vëren me shqetësim keqpërdorimin që po tentohet të bëhet me ligjin shqiptar, duke vënë në pozitë të vështirë Kryeprokuroren, e cila nga njëra anë duhet t‘i shkojë deri në fund historisë të Gërdecit dhe nga ana tjetër duhet të përpiqet që veprimet e saj të mos bien ndesh me ligjin".

Deputetët e të dyja kaheve në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, e kthyen një herë mbrapsht dosjen e prokurores së Përgjithshme për mungesë provash. Kur Kryeprokurorja nisi për herë të dytë një dosje (kësaj here prej 800 faqesh), deputetët sërish u ankuan se dosja nuk përmbante fakte të reja, ndonëse po të njëjtët deklaruan se për shkak të numrit të faqeve ishte e pamundur të lexohej.

Sipas "Mjaft", ky reagim është absurd dhe qesharak për sa kohë legjislacioni shqiptar pengon çdo lloj procedimi të personave me imunitet. Në këtë pikë është e pamundur të kërkohen prova të reja pa thyer ligjin.

Neni 73 i Kushtetutës, pika 2, pengon ndjekjen penale të deputetit pa autorizim të Kuvendit. Ndërsa neni 289 i Kodi të Procedurës Penale pengon çdo lloj procedimi. Nuk lejohet ndalimi, caktimi i masave të sigurisë, kontrollet, këqyrja e personit, njohja, ballafaqimi ose komunikimi i personit për të cilin kërkohet përgjimi. Ai mund të merret në pyetje vetëm nëse e kërkon vetë.

Në këtë pikë, kërkesat e deputetëve të pozitës dhe opozitës për prova të reja janë rrjedhojë e injorancës, si pasojë e mosnjohjes së ligjit, ose kanë thjesht për qëllim zvarritjen e çështjes deri në shpëtimin përfundimtar të ish-ministrit të Mbrojtjes nga akuzat.

E gjithë zvarritja bëhet për të shfrytëzuar një pikë të Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë (Neni 118, Pika 6.), i cili thotë: Në rastin kur Kuvendi nuk merr vendim për dhënien ose mosdhënien e autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ose të arrestimit të një deputeti brenda 3 muajve nga data e paraqitjes së kërkesës përkatëse, atëherë kërkesa konsiderohet e rrëzuar nga Kuvendi.

Praktikisht, gjendemi para një rreziku real që pjesa më e rëndësishme e të vërtetës që lidhet me përgjegjësinë e qeverisë në një krim të këtyre përmasave, të pengohet ligjërisht pa u hetuar.

Avokati i lëvizjes "Mjaft", Andi Kakanaj, i cili është në krye të grupit që po ndjek ecurinë e hetimeve për çështjen e Gërdecit, tha dje se reagimi i lëvizjes "Mjaft" do të vazhdojë deri në zbardhjen e plotë të përgjegjësisë për tragjedinë.

Ligji

Nenet e rregullores së Kuvendit për heqjen e imunitetit

1. Kërkesa dhe dokumentet shoqëruese për dhënien e autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ndaj deputetit i paraqiten Kryetarit të Kuvendit nga Prokurori i Përgjithshëm. Kryetari ia dërgon kërkesën dhe dokumentet shoqëruese menjëherë për shqyrtim Këshillit për Rregulloren, Imunitetin dhe Mandatet dhe vë në dijeni Kuvendin në seancën plenare më të parë.

2. Deputeti, për të cilin kërkohet dhënia e autorizimit, lajmërohet për kërkesën e bërë dhe dokumentet që e shoqërojnë atë, si dhe i bëhet e ditur koha në të cilën Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin do të fillojë shqyrtimin e kërkesës. Deputeti ka të drejtë të paraqesë në Këshill, me shkrim ose me gojë, shpjegimet dhe vërejtjet e tij rreth çështjes.

3. Në përfundim të shqyrtimit, Këshilli, brenda 4 javëve, harton një raport për në seancë plenare, në të cilin rekomandon rrëzimin ose miratimin e dhënies së autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ndaj deputetit. Raporti i Këshillit u shpërndahet deputetëve.

4. Shqyrtimi i kërkesës për dhënien e autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ose arrestimin e një deputeti vendoset si pikë e parë e rendit të ditës të seancës së dytë pasardhëse, pas paraqitjes së raportit të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin. Në seancë plenare fjala i jepet në fillim deputetit, ndaj të cilit është paraqitur kërkesa, për të dhënë shpjegime ose për t‘iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve. Raporti i Këshillit nuk është objekt diskutimi. Kuvendi vendos me votim të fshehtë nëse do të jepet ose do të rrëzohet dhënia e autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ndaj deputetit.

5. Procedura e parashikuar në pikat 1, 2, 3 dhe 4 të këtij neni zbatohet edhe në rastin kur kërkohet autorizimi për arrestimin e një deputeti.

6. Në rastin kur Kuvendi nuk merr vendim për dhënien ose mosdhënien e autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ose të arrestimit të një deputeti brenda 3 muajve nga data e paraqitjes së kërkesës përkatëse, atëherë kërkesa konsiderohet e rrëzuar nga Kuvendi.

7. Përcaktimet e bëra në këtë nen zbatohen edhe në rastet e dhënies së autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ose për dhënien e autorizimit për arrestimin e anëtarit të Këshillit të Ministrave.

Plus vendimi 39 i 23.06.2000 i Gjykatës Kushtetuese që jep interpretimin për nenin 73 të Kushtetutës.

Prokuroria

Gërdeci, asnjë nuk përjashtohet nga hetimi

Prokuroria e Përgjithshme zhvendos hetimin për tragjedinë e Gërdecit në Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura. Krahas marrjes të pandehur nga subjektet private, /Ministrisë së Mbrojtjes, që kryenin demontimin e municioneve në fshatin Gërdec, tashmë të tjerë persona nga ushtria pritet të verifikohen nga grupi prej 16 hetuesish në akuzën qendrore. Kjo e fundit tha dje se "asnjë person që ka pasur dijeni për çështjen e Gërdecit nuk mund të përjashtohet nga hetimi". Pritet që prokuroria të marrë nën hetim disa zyrtarë të lartë Forcave të Armatosura, nën akuzat e ‘moskallëzimit të krimit‘ dhe ‘shpërdorimit të detyrës‘".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›