Racizmi, dhunë ndaj të miturit shqiptar
Retorikat ksenofobiste të ditëve të fundit në Itali duket se kanë bërë viktimë edhe shqiptarët. Një 13-vjeçar shqiptar është rrahur dhe keqtrajtuar nga një grup personash vetëm e vetëm sepse ishte i huaj. Ngjarja është publikuar në shtypin italian, ku shqiptari tregon se agresorët e kishin dhunuar, pasi e kishin pyetur nga ishte dhe përse nuk kthehej në vendin e tij. Ky ishte dialogu që i ka paraprirë një sherri midis një grupi djemsh italianë dhe një shqiptari. Kështu, dialogu i ka lënë vendin grushteve, shkelmave dhe pështymave. Sipas gazetës italiane "La Stampa", ngjarja ka ndodhur dje, kur të rinjtë kanë dalë nga shkolla. Koldeti, djali 13-vjeçar shqiptar, po priste autobusin në stacion, kur aty është afruar një italian i quajtur Kristian së bashku me shokët e tij. Ata e kanë pyetur në fillim se nga vjen dhe më pas kanë filluar ta godasin dhe ta ofendojnë, ndërsa Koldeti nuk ka reaguar fare. "Është një djalë i qetë, paqësor dhe nuk ka pasur asnjëherë probleme", - ka sqaruar i ati i Koldetit. "Kur erdha në shtëpi, e gjeta duke qarë. Në shkollë kishte marrë një notë jo të mirë, por dukej qartë që kjo s‘kishte të bënte me notën. Pastaj u bë më keq. Kishte dhimbje koke dhe të vjella", - u shpreh babai i të miturit për gazetën italiane.