Policia "pastron" bulevardin nga makinat
Policia e Qarkullimit Rrugor të Tiranës ka hequr të gjitha automjetet, që kanë qenë të parkuara në bulevardin "4 Shkurti". Shkak për këtë aksion të policisë ka qenë turi i 65-të çiklistik i Shqipërisë, që do të fillojë sot në orën 18:00 me disa xhiro rreth këtij bulevardi. Rreth 80 automjete janë marrë nga karrotrecët dhe janë dërguar në pikën e grumbullimit në Komisariatin e Qarkullimit Rrugor në kryeqytet. Për më pak se 60 minuta, policia ka pastruar të gjithë bulevardin, ndërkohë që drejtuesit e mjeteve kanë deklaruar se nuk kishin marrë asnjë lajmërim publik, të cilëve u duhet tashmë që t‘i marrin automjetet e tyre në qendrat e grumbullimit të makinave të bllokuara. Ndërkohë, policia rrugore sqaroi se parkimi ka qenë i ligjshëm dhe për këtë arsye ka lehtësuar shoferët nga pagesa e tarifës së karrotrecit, që kushton 3 mijë lekë të reja. Ndërkohë, Policia e Tiranës nuk kishte vënë tabela për bllokimin e bulevardit, por dy ditë më parë kishte njoftuar për garën e çiklizmit. Në njoftimin e saj zyrtar, Drejtoria e Policisë së Tiranës ka deklaruar se më datë 18 maj, Federata Shqiptare e Çiklizmit do të zhvillojë garën e çiklizmit, rrethi i 65-të Çiklistik i Shqipërisë. Në njoftimin zyrtar deklarohet se do të merren masa për sigurimin e rendit dhe të qetësisë publike, për garantimin e zhvillimit normal të këtij aktiviteti. Kështu ishte parashikuar që dje të bllokohet qarkullimi i lëvizjes së automjeteve në itineraret nga ora 18:00 deri në 19:30, i shtrirë përgjatë rrugës "Dëshmorët e 4 Shkurtit" - bulevardi "Dëshmorët e Kombit" - rruga "Abdyl Frashëri" - kryqëzimi i Librit Universitar - rruga "Dëshmorët e 4 Shkurtit".