E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kapen dy të shumëkërkuar në Shkodër dhe Durrës

Dy vrasës të shpallur në kërkim prej shumë vitesh kanë provuar dje për herë të parë ftohtësinë e prangave. Dy aksione të policisë në Durrës dhe në Shkodër kanë bërë të mundur arrestimin e shtetasve Dritan Peposhi dhe Pjerin Brushtulli, të dënuar përkatësisht me 18 dhe 15 vjet burg për vrasje të kryera në vitin 1994 dhe 2002.

Durrës

Shërbimet e policisë së Shijakut kanë arrestuar në orët e para të mëngjesit të djeshëm një vrasës në kërkim, i cili ka rënë në pranga 14 vjet pas dënimit nga Gjykata e Rrethit të Kukësit për veprën penale të vrasjes. Kjo gjykatë kishte shpallur fajtor dhe dënuar në mungesë me 18 vjet heqje lirie për vrasjen e Akil Sulës, shtetasin Dritan Peposhi, i lindur në dhjetorin e vitit 1975. Atëherë vetëm një djalë i ri 19-vjeçar, Peposhi kishte qëlluar me thikë pas një grindjeje Sulën, duke i shkaktuar atij vdekjen. Ngjarja e rëndë pati ndodhur në mesditë, në qendër të qytetit të Kukësit, më 31 tetor të vitit 1994. Vrasja e detyroi atë të lërë vendlindjen, fshatin Gostil të Kukësit dhe të emigrojë jashtë vendit për t‘i shpëtuar gjakmarrjes, por edhe dënimit të dhënë nga organi i drejtësisë. Ndërkohë, familja e vet, për të njëjtën arsye kishte lënë pas fshatin e Kukësit, ku jetonin, për t‘u zhvendosur në Komunën e Katundit të Ri në Durrës. Dritan Peposhi kishte pak kohë që ishte kthyer nga emigrimi në vendbanimin e tij, në fshatin Katund Sukth, duke menduar që krimi i vjetër do të ishte harruar.

Reduktimi i personave në kërkim nga lista e zezë që ndodhet në çdo komisariat policie është një nga prioritetet e punës në Komisariatin e policisë së Shijakut dhe Peposhi ishte një nga personat kryesorë të listës së shtetasve të kërkuar për kryerjen e veprave të rënda penale. Kështu, pas një informacioni të marrë në rrugë operative, shërbimet u organizuan për të kapur Peposhin e dënuar nga Gjykata e Kukësit për vrasjen e Sulës. I kërkuari është gjetur në banesën e tij. Zona ka qenë e rrethuar, po burimet lokale policore bëjnë të ditur se 32-vjeçari nuk ka bërë rezistencë kur në derë janë shfaqur uniformat blu që kanë kërkuar ta shoqërojnë paraprakisht drejt qelive të paraburgimit të Durrësit dhe më pas drejt vendit të vuajtjes së dënimit.

Shkodër

Ndryshe nga policët e Shijakut, ata të Shkodrës kanë udhëtuar për orë të tëra më këmbë, në një terren të thyer malor, për të vënë në pranga një vrasës, i cili i shmangej prej 6 vjetësh dënimit. Pas një operacioni që ka zgjatur disa orë në zonën e thellë malore të Bjeshkëve e Cukalit, policia e Shkodrës ka arritur të prangosë Pjerin Brushtullin, 34 vjeç, lindur në Cukal dhe banues në Shkodër. Personi në fjalë, në vitin 2002 ka vrarë me armë zjarri shtetasin Nush Koleci dhe për këtë vepër penale Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër e ka dënuar me 15 vjet burgim në mungesë. Burime nga policia e Shkodrës pohojnë se kapja e 34-vjeçarit Brushtulli është bërë në një terren të vështirë malor. Ai qëndronte i fshehur në Bjeshkët e Cukalit, një zonë në kufi të malësive të Shkodrës dhe Tropojës. Pasi kanë ecur rreth 4 orë më këmbë, policët kanë mundur të rrethojnë banesën ku qëndronte i shumëkërkuari, i cili më pas ka rënë pa rezistencë në dorë të policisë. Pjerin Brushtulli ishte klasifikuar nga policia si person me rrezikshmëri të lartë shoqërore.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›