E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grevistët “jo” ofertës së qeverisë

 

GJIROKASTER

Grevistët e urisë kanë ngelur të pakënaqur me ofertën e fundit të qeverisë shqiptare për vlerën financiare të ofruar si dëmshpërblim për apartamentet e shkatërruara më 9 nëntor. Vendimi i fundit që pritet të miratohet nga ekzekutivi, u duk sikur do të sillte ndryshimin e realitetit të krijuar prej tri ditësh, por asnjë nga 10 të ngujuarit nuk e ka pranuar.
Përfaqësuesi i qeverisë, Bexhet Çobani, kryetar i PD-së për rajonin e Gjirokastrës, njëkohësisht përgjegjës i Zyrës së Urbanistikës në Këshillin e Qarkut, i ka njohur dje grevistët me vendimin më të fundit që pritet të merret nga qeveria për këtë çështje. Sipas tij, shuma që do të akordohet nga qeveria arrin 46 milionë lekë për të 14 familjet e pastreha. Kjo shumë është nxjerrë në bazë të vlerësimit për metër katror nga ana e Entit Kombëtar të Banesave. Me një përllogaritje specifike, çdo familje i bie që të përfitojë nga 3-3.2 milionë lekë, përfshirë edhe dëmshpërblimin për orenditë shtëpiake të shkatërruara. Të ngujuarit, pasi kanë dëgjuar me vëmendje Çobanin, i cili i ftoi ata që të dilnin nga greva, pasi qeveria shqiptare do të aprovojë shumën e premtuar, kanë refuzuar kategorikisht të ndërmarrin një hap të tillë. Kjo sipas tyre është e papranueshme pasi me vlerën e përfituar nuk mund të blihet qoftë edhe një apartament me sistemin 1+1. “Kërkojmë vlerësimin real të banesave me tregun e sotëm imobiliar, ashtu siç na u premtua në masën e 43 mijë lek për metër katror”, janë shprehur të revoltuar ngujuesit e grevës së urisë. Sipas tyre komisioni i specialistëve për identifikimin e dëmeve, kishte dalë në përfundimin se vlerësimi total i apartamenteve të shkatërruara ishte gati sa dyfishi i shumës që ka propozuar qeveria shqiptare. “Dosja e përcjellë në qeveri, ka qenë e plotë me të gjitha vlerësimet e duhura në bazë të çmimit për metër katror të të gjitha apartamenteve”, shprehen banorët e pallatit. Me shpresën se qeveria do të merrte në konsideratë kërkesën e vetme themelore, të dhjetë grevistët, kanë deklaruar se nuk do të heqin dorë nga veprimi i tyre ekstrem deri sa të vdesin. Mëngjesin e djeshëm kanë qenë gati të hynin në grevën e urisë edhe pjesëtarë të tjerë të familjeve të grevistëve, por janë ndalur, pasi mësuan se një përfaqësues i qeverisë shqiptare do të nisej nga Tirana për t’u komunikuar vendimin që do të merret për ta. Nën rrënojat e pallatit të rrëzuar, ekziston një hapësirë ku mund të hyjnë gati 20 persona dhe ky vend, sipas grevistëve, është i përshtatshëm për të përshkallëzuar veprimin e tyre duke iu bashkuar grevës edhe pjesëtarët e tjerë të familjeve. Gjithsesi deri në orët e pasdites së të mërkurës nuk është parë ndonjë lëvizje tjetër përveçse vazhdimit të formës ekstreme të protestës në depon përbri godinës së shkatërruar. Grevistët janë futur ditën e hënë në zonën e ngujimit, duke kërkuar me çdo kusht plotësimin e të vetmes kërkesë që kanë: dëmshpërblimit të banesave të humbura pas rrëzimit të pallatit në lagjen “11 Janari”. Që prej tragjedisë së 9 nëntorit, kur themelet u tronditën duke provokuar shembjen me pasojë vdekjen e 3 banorëve, 14 familje kanë mbetur pa strehë mbi kokë.

Grevisti pëson parainfarkt, rëndohet gjendja
GJIROKASTER – Një prej grevistëve pëson parainfarkt. Mjekët e spitalit të Gjirokastrës pohuan dje se Ibrahim Braho, 68 vjeç, ka pësuar një krizë kardiake në orët e pasdites. Ai është dërguar me urgjencë në spital, ku ka qëndruar nën kontrollin mjekësor për disa orë. Ndonëse ka këmbëngulur rikthimin në grevën e urisë, sipas mjekëve ai nuk duhet të lëvizë për shkak se rrezikon jetën. Për mjekun, i cili kujdeset për shëndetin e dhjetë grevistëve Dilaver Stroka, gjendja e tyre është rënduar sidomos në orët e darkës së të martës, ndërsa tre kanë marrë serume në mungesë të konsumit të lëngjeve apo dhe ushqimit. Sipas Strokës, gjendja e tyre po shkon drejt agravimit të plotë, madje dy prej grevistëve mesditën e të mërkurës kanë pasur gjendjeje të fikëti. “Tensioni arterial tek tetë, nga dhjetë grevistët, ka qenë i luhatshëm dhe kryesisht i lartë në masën nga 16-22 çka nënkupton se refuzimi për t’u ushqyer gjatë 48 orëve ka dhënë efektet e veta”, është shprehur mjeku Stroka, i cili është përkujdesur intensivisht edhe jashtë orarit zyrtar të punës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›