“Gërdeci”, Mediu e Luan Hoxha në gjyq
Trazhgim Sokolaj
Të pandehurit e tragjedisë së Gërdecit u thirrën dje në prokurori për t’u njohur me materialet e akuzës dhe për të firmosur kërkesën për gjykim, aktin përfundimtar të hetimeve për ngjarjen me 26 të vdekur. Burime zyrtare nga organi qendror i akuzës, thanë se 30 personave mes të cilëve edhe ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu dhe ish-shefit të Shtabit të Përgjithshëm Luan Hoxha, iu kërkua dje për herë të fundit, paraqitja në prokurori në cilësinë e të pandehurve. Organi i akuzës po kryen formalitetet e mbylljes së hetimit ndërsa dosja pritet të dërgohet në Gjykatë brenda kësaj jave. Prokuroria e Përgjithshme duket e kushtëzuar në veprimet e saj për shkak se ditën e djeshme është plotësuar afati 6-mujor në dispozicion të hetimeve ndaj ish-ministrit Fatmir Mediu, të cilit iu hoq imuniteti më 19 gusht 2008. Për shkak se hetimet jashtë afatit rrezikonin të dilnin nul, Prokuroria ka thirrur dje të pandehurit për t’i njohur me aktet dhe për të firmosur kërkesën për gjykimin e dosjes “Gërdeci” në Gjykatën e Lartë. Procedura parashikon se të pandehurit nuk mund të firmosin asnjë akt derisa nuk janë njohur me përmbajtjen e tyre, ndërsa Prokuroria deri ditët e fundit nuk ia kishte bërë të ditura provat asnjërit prej të pandehurve. Organi qendror i akuzës tha se do të zbatojë afatet dhe brenda kohës së ligjshme lidhur me ish-ministrin Mediu do ta dorëzojë dosjen në Gjykatë. Në procedimin penal lidhur me tragjedinë e Gërdecit, ish-ministri Mediu dhe katër ish-zyrtarë të lartë të dikasterit akuzohen për “shpërdorim detyre” dhe “shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera”. Ndërkaq ish-krerët më të lartë të Shtabit të Përgjithshëm, katër gjeneralë dhe tre kolonelë si dhe anëtarët e komisioneve të Vlerësimit të Fishekëve e Predhave, akuzohen për shpërdorim detyre sipas Kodit Penal Ushtarak. Nën akuzë janë vendosur për “shpërdorim detyre” dhe “falsifikim dokumentesh” edhe dy ish-drejtorët e uzinës së Gramshit dhe Kombinatit të Poliçanit, që akuzohen edhe për “falsifikim dokumentesh”.
Maksiprocesi
Numri i personave të pandehur në dosjen “Gërdeci” përbën një rekord për drejtësinë shqiptare, ndërsa nëse llogaritet se të akuzuarit do të shkojnë në gjykatë me gjithë avokatin e tyre, atëherë çdo gjykatë shqiptare do të vihej në vështirësi serioze kur bëhet fjalë për ambientin ku mund të zhvillohet procesi. Megjithatë 27 persona të akuzuar që hetohen në gjendje të lirë dhe tre të arrestuar që prej një viti, konsiderohen “shkaktarë” të ngjarjes katastrofike, ku humbën jetën 26 viktima dhe u plagosën mbi 300 të tjerë. Mekanizmi i ngjarjes me pak fjalë mori udhë në çastet kur prej brenda fabrikës së çmontimit u kërkua aty pranë një pajisje saldimi për riparimin e njërës nga karrocat, që përdorej për transportin e barutit të dalë nga demontimi. Gjatë saldimit të karrocës brenda fabrikës, sasitë e barutit në tokë morën flakë nga një shkëndijë e vogël, e cila brenda pak çastesh u transformua në shpërthimin më të madh të ndodhur ndonjëherë në Shqipëri. Zjarri u shpërnda deri tek predhat, të cilat u aktivizuan dhe goditën kontejnerët, që ndodheshin pranë fabrikës ku më pas ndodhi eksplozioni në formë kërpudhe. Sipas Prokurorisë, zyrtarët e Ministrisë së Mbrojtjes, shefat e komandave të ushtrisë dhe shtabit si dhe shumica e personave të angazhuar me demontimin në Gërdec, lejuan hapësira ligjore dhe administrative që i dhanë mundësi Delijorgjit të shkelte rregullat e sigurisë, të punësonte njerëz të patrajnuar dhe të vinte jetën e viktimave në rrezik, duke i detyruar të punojnë pa pajisjet e nevojshme dhe me një mbingarkesë të rrezikshme.
Të pandehurit
1. Rezar Tërshana
2. Besnik Dauti
3. Agim Babameto
Anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Municionit, për Fishekët
4. Gëzim Oshafi
5. Denis Hajdari
6. Jorgo Mino
7. Fatbardh Kuçi
Anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Municionive për Predhat
8. Zenun Fero
9. Hysni Çoçka
10. Hilmi Laçaj
Komisioni i Kategorizimit të Municioneve
11. Fiqiret Mato
Drejtor i Uzinës Mekanike të Gramshit
I akuzuar për “shpërdorim detyre” dhe “falsifikim dokumentesh”
12. Fari Toska, anëtar i Komisionit të Vlerësimit të Municioneve
13. Landi Shatro
Drejtor i Kombinatit Mekanik të Poliçanit
I akuzuar për “shpërdorim detyre” dhe “falsifikim dokumentesh”
14. Luan Hoxha ish-shefi i Shtabit
15. Agim Lala ish-zv/Shef i Shtabit
16. Fatmir Mediu, ish-ministër i Mbrojtjes
17. Ardian Mullai, ish-sekretar i Përgjithshëm
18. Shkëlzen Madani, ish-drejtor Ekonomik i Burimeve dhe Menaxhimit
19. Shpëtim Spahiu, ish-komandant i Forcave të Bashkuar
20. Zija Baja, ish-komandat i Forcës Mbështetëse
21. Dashnor Çaushi, ish-drejtor i Logjistikës së Shtabit
22. Adriatik Mema, ish-sekretar i Përgjithshëm në Ministri
23. Armand Tartari, ish-drejtor i Drejtorisë së menaxhimit të Buxhetit
24. Ndue Marku, ish-drejtor i Drejtorisë Juridike në Shtab
Në gjendje arrest me burg
25. Ylli Pinari, ish-drejtor i MEICO
26. Mihal Delijorgji, pronar i fabrikës në Gërdec
27. Dritan Minxolli, ish-drejtor i fabrikës
Ylli Pinari, kundër kontrollit në zyrë
TIRANE – Ylli Pinari, ish-kreu i MEICO-s, i paraburgosur në çështjen “Gërdeci”, kërkon në gjykatë heqjen e sekuestros nga dokumentacioni dhe sendet personale, që janë bllokuar në zyrën e tij pak ditë pas tragjedisë. Nëpërmjet mbrojtësit të vet, Pinari i paraqiti gjykatës kërkesën, duke kundërshtuar pretendimet e prokurorisë se gjithçka është bërë konform ligjve dhe se dokumentacioni i bllokuar në zyrë i ka shërbyer hetimeve. Seancën tjetër të procesit pritet që gjykata të marrë konkluzionet e palëve në këtë proces dhe të dalë me vendim, në të njëjtën kohë kur pritet të deklarohet mbyllja e hetimeve për çështjen “Gërdeci”.
Ish-presidenti Moisiu: Gërdeci, fajtorët kryesorë nuk janë prekur
TIRANE – Alfred Moisiu, ish-president i Shqipërisë komentoi dje hetimet e prokurorisë për tragjedinë e Gërdecit, duke thënë se në këtë ngjarje është implikuar edhe Kryeministri i vendit. Ish-kreu i shtetit Moisiu, gjatë një interviste të dhënë për Tv “News 24”, deklaroi se Kryeministri Berisha është një prej përgjegjësve kryesorë të tragjedisë së rëndë të Gërdecit. Sipas ish-presidentit konsensual, hetimet për tragjedinë janë ende tek bishtat, ndërsa kanë humbur gjurmët e përgjegjësve të vërtetë. Sipas Moisiut, hetimet ende nuk kanë prekur përgjegjësit kryesorë në tragjedinë e një viti më parë. “Gërdeci ka qenë krim i lartë shtetëror dhe aspak nuk ka të bëjë me ushtrinë. Faji që duan t’ia hedhin ushtrisë është për të futur në valle sa më shumë njerëz për të shpërndarë përgjegjësinë që të ulet përgjegjësia ligjore. Kalimi i demontimit të municioneve nga udhëzimet ushtarake në duart e privatëve bëhet për qëllime të qarta të përfitimit ekonomik të personave, që ishin në krye të ushtrisë dhe të qeverisë. Ky është një turp për politikën shqiptare. Kryeministri ka përgjegjësinë e tij, kjo nuk diskutohet. Prokuroria duhet inkurajuar dhe mbështetur, por duhet të përgjigjet ai që duhet të përgjigjet, jo bishtat, por duhet të përgjigjet koka dhe ne deri tani jemi marrë me bishtat”, është shprehur dje ish-presidenti i vendit Moisiu. Duke theksuar faktin se me hetimet e deritanishme po shpërndahet përgjegjësia rreth tragjedisë së Gërdecit, ish-kreu i shtetit tha se Prokuroria nuk duhet fajësuar por duhet inkurajuar në hetimet e saj. Moisiu theksoi se puna e prokurorisë është thelbësore, pasi vetëm kështu do të ngjallet besimi tek organet e drejtësisë. Ish-presidenti i cili është në fakt një ish-ushtarak, pranoi gjithsesi se faji i ushtrisë ishte se nuk ngriti zërin për rrezikun, porse uniformat bëhen gjithmonë viktima të politikës pavarësisht nivelit të përgjegjësive.