"Si u përleshëm me grabitësit"
ETLEVA DELIA
Ende i dridhen duart kur mendon atë çfarë i ndodhi bashkëshortes para syve të tij, në mes të Tiranës dhe nuk pati mundësi ta ndihmonte. Hajri Shametaj, pronari i pikës së këmbimit valutor te rruga e "Kavajës", ku u plagos gruaja e tij Redina, 36 vjeçe, edhe pse kanë kaluar 24 orë nga ngjarja, ende e ka parasysh skenën e krimit. Një ngjarje e cila mund t'i kishte marrë jetën jo vetëm gruas, por edhe vetë atij. Pronari i "Exchange"-s e cilëson të shoqen si një heroinë për rezistencën që tregoi, duke mos lejuar që ta grabisnin, edhe pse ata ishin të armatosur, madje e krahason me Shotën e Malësisë. "Redina mbrojti veten, falë këmbënguljes së saj, se po të ishte për policinë, aty mund të ndodhte edhe më e keqja", është shprehur Hajri Shametaj, gjatë një interviste për gazetën "Panorama". Sipas rrëfimit të tij duket qartë që ishte i vetëdijshëm për ndonjë rrezik të mundshëm, duke u nisur nga natyra e punës së çiftit Shametaj, pasi kishin të bënin me para. Për këtë arsye lëviznin edhe me makinë të blinduar, me të cilën transportonin paratë, por që të ndodhte një ngjarje e tillë në mes të kryeqytetit, nuk e kishin menduar ndonjëherë. Ndërkohë vetë e plagosura, Redina Shametaj, e cila ka dalë nga spitali tregon gjithçka se si u ka rezistuar personave që donin t'i merrnin me forcë çantën ku ndodheshin paratë. "E rëndësishme është që mua dhe bashkëshortit tim nuk na ndodhi asgjë, gjithçka u mbyll me aq. Tani nuk dua t'ia di më për autorët. As i njoh dhe as që dua t'i njoh", është shprehur Redina.
Rrëfimi
Duke mos dashur ta mundojë bashkëshorten e plagosur, e cila sapo ka dalë nga Spitali Ushtarak, Hajri Shametaj rrëfen vetë se si ndodhi e gjitha ngjarja e mëngjesit të së mërkurës, pasi ishte edhe vetë i pranishëm. "Ishte ora 08:02 e mëngjesit, kur ne parkuam makinën para dyqanit dhe fillimisht zbrita unë që të kontrolloja derën nëse ishte e hapur apo jo. Pastaj unë shkova të lëvizja makinën, sepse nuk kishte vend aty përpara. Ndërkohë në ato momente Redina u fut në dyqan, në një kohë që ne po i shihnim dy personat që ishin pranë vendit ku ishim ne, po as që na e merrte mendja se çfarë qëllimi mund të kishin", ka pohuar Shametaj. Më pas ai ka treguar edhe përleshjen që kishte ndodhur brenda në dyqan mes dy personave të armatosur dhe gruas së tij. "Unë isha në makinë dhe sapo ktheva kokën nga dyqani, pashë dikë që i ishte futur në dyqan dhe ishte shumë afër Redinës. Ky ishte momenti që ai, pasi i kishte kërkuar t'i jepte çantën dhe pasi kishte hasur në kundërshtimin e gruas po tentonte t'ia merrte me forcë, duke e kërcënuar se do ta vriste. Në atë moment e kishte qëlluar me pistoletë në këmbë, por Redina sërish i kishte rezistuar, duke e kapur nga qafa që të mos e linte të ikte. Më pas ai e ka qëlluar për herë të dytë dhe është nisur të dalë nga dyqani. Kur kanë dalë unë kam qenë përballë tyre dhe më kanë goditur në kokë, pasi tentuan të më qëllonin me pistoletë, por fatmirësisht nuk shkrepi. Kam dalë në rrugë për të parë ndonjë makinë policie, por nuk kam parë asnjë edhe pse ishim në mes të Tiranës. Më pas e kam çuar vetë Redinën në spital", ka mbyllur rrëfimin e tij Hajri Shametaj.