E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Gërdeci”, Pinari libër në burg

 

Armand Bajrami

Për herë të parë, më shumë se një vit pas arrestimit me akuzën për tragjedinë e 15 marsit 2008 në Gërdec, shfaqen të lirshëm në publik. Ylli Pinari, ish-drejtues i ndërmarrjes shtetërore MEICO në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Dritan Minxolli, drejtor i firmës “Albademil” qëndronin të shpenguar dje përpara objektivëve të kamerave dhe të aparateve fotografikë në ambientet e paraburgimit 313 në kryeqytet. Dalja publike e tyre u bë teksa ishin pjesëmarrës në një aktivitet sportiv, të organizuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve. Ylli Pinari nuk pranoi të flasë për median. Në një bisedë jozyrtare, u mësua se ai ishte duke përgatitur një libër gjatë qëndrimit në burg ku do të shkruante mbi kompaninë e imort-eksportit të armëve dhe për tragjedinë e ndodhur në Gërdec. Gjithashtu u mësua se Pinari i cilëson politike akuzat e ngritura ndaj tij dhe se pret drejtësi nga gjykata.
DALJA PUBLIKE
Të ftuarit në aktivitetin sportiv në ambientet e burgut 313, u habitën teksa panë që në fushën mini-sportive, në mes të të paraburgosurve të tjerë ishin edhe dy nga të arrestuarit për të njohurën si tragjedia e Gërdecit. Të arrestuarit “VIP”, që deri më dje kishin shmangur çdo përballje me median, qëndronin dje lirshëm madje me veshje krejt sportive të markës së njohur “Nike”. Ylli Pinari, ish-drejtori i ndërmarrjes MEICO, ishte pozicionuar në anën lindore të fushës, aty ku muri i lartë rrethues i burgut krijonte një hije nga rrezet e diellit. I veshur sportiv, me atlete “nike”, një palë pantallona të shkurtra “adidas” dhe një bluzë, të gjitha të zeza, ai ndoqi për disa minuta ndeshjen. Në veshin e djathtë mbante të vënë vetëm një prej kufjeve të një aparati “MP3”, që kishte në xhep dhe herë pas here hidhte vështrime në distancë nga gazetarët e pranishëm. Në krahun e tij të majtë qëndronte i arrestuari tjetër i dosjes “Gërdeci”, Dritan Minxolli, drejtori teknik i “Albademil”. Të kërkuar nga gazetarët, asnjë prej tyre nuk pranoi të prononcohej drejtpërdrejt. Ndërsa policia nuk lejoi gazetarët t’i afroheshin, një person i tretë kontaktoi me median duke u thënë atyre se “Pinari nuk do të prononcohet”. “Është dëshira e tij të mos prononcohet. Veç kësaj ai vuan edhe nga tensioni”, tha personi, pjesë e stafit në burgun 313. Pas 15 minutash qëndrimi, Pinari dhe Minxolli u larguan nga aktiviteti duke u rikthyer në qelitë e tyre të paraburgimit. Dy personat e tjerë të arrestuar nga dosja “Gërdeci”, Mihal Delijorgji dhe Sokol Gjeci, nuk kishin zgjedhur dje të ishin pjesë e aktivitetit.     

Drejtori: Burgu gati për zgjedhjet
Në përfundim të aktivitetit të djeshëm drejtori i burgut 313, Shkëlqim Kalemi, konfirmoi për median se të gjithë të paraburgosurit dhe të burgosurit e këtij institucioni janë pajisur me kartat e reja të identitetit. Gjithashtu Kalemi tha se pas një udhëzimi të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, për krijimin e ambienteve të votimit, janë marrë të gjitha masat e nevojshme materiale për zhvillimin e një procesi votimi normal dhe pa probleme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›