Gjykata e Lartë kthen dosjen e “vrasësit”
TIRANE – Gjykata e Lartë ktheu dje për rigjykim dosjen në ngarkim të Bardhyl Rustemit, të akuzuar për vrasje, duke i shtuar edhe një tjetër “xhiro” kësaj dosjeje në shkallët e gjyqësorit. Sipas Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, Rustemi, për të cilin ka vendosur dy herë Gjykata për Krimet e Rënda duhet të gjykohet nga “zero” nga Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër. Për togat e zeza të Gjykatës së Lartë, Gjykata e Shkodrës është kompetentë për dosjen e shkodranit Rustemi. Zanafilla e vendimeve gjyqësore ndaj Rustemit nisi më 1 qershor të vitit 2005, kur Gjykata e Krimeve të Rënda e dënoi atë me 23 vjet burg për vrasjen e Lec Majnishtës dhe plagosjen e Sokol Selmanit. Pasi apeloi vendimin në Gjykatën e Apelit për Krimet e Rënda, kjo gjykatë vendosi dërgimin e dosjes për rigjykim në shkallën e parë me një trupë tjetër gjykuese. Rekursi, nga Prokuroria, në Gjykatën e Lartë, la në fuqi vendimin e Apelit dhe dosja shkoi sërish te Krimet e Rënda. Në vitin 2008 ai u dënua sërish nga Krimet e Rënda me 23 vjet burg, ndërsa pas lënies në fuqi të vendimit nga Apeli Gjykata e Lartë dje vendosi dërgimin e çështjes për rigjykim në Gjykatën e Shkodrës si gjykatë kompetente. ar.ba