Kapet në Rinas, i dënuari për vrasjen e vitit 2001 në Shkodër
TIRANE - Policia e Rinasit ka arrestuar dje një të dënuar për vrasje menjëherë sapo ai është deportuar nga Italia. Ilmir Hajdari, i shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe i dënuar në mungesë me 16 vjet burg nga Gjykata e Shkodrës, akuzohet për një vrasje të kryer në bashkëpunim, të ndodhur në Shkodër në vitin 2001. Sipas të dhënave nga Policia e Shtetit, mësohet se Ilmir Hajdari së bashku me dy shokë të tij, Xhabir Shega dhe Kujtim Barbullushi, akuzohen të jenë autorë të vrasjes së Indrit Bajrit, ngjarje e ndodhur në lagjen “Partizani”, ose të njohur si lagjia “Rus” në Shkodër. Vrasja e Bajrit ka ndodhur pas një konflikti të mëparshëm me Ilmir Hajdarin. Gjatë shkëmbimit të zjarrit, njëri nga shokët e Ilmir Hajdarit u plagos dhe pasi mori mjekimin në spitalin civil u arrestua duke pohuar më pas edhe krimin. Në një kohë kur shokët e tij, bashkëpunëtorë në vrasjen e Bajrit, u arrestuan dhe tashmë po vuajnë dënimin e dhënë nga gjykata, Hajdari arriti të largohej nga Shqipëria, falë një vendimi të Gjykatës së Apelit të Shkodrës, e cila i dha disa lehtësira. Më pas ka qenë Gjykata e Lartë, ajo që shpalli të pavlefshëm vendimin e Apelit, duke lënë në fuqi atë të Faktit, që e kishte dënuar Ilmir Hajdarin me 16 vjet burg. e.d