E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendet e BE: Shqipëria histori suksesi në rajon

Progresi i Shqipërisë e bën këtë vend një histori suksesi për Evropën Juglindore. 

Deklarata është bërë nga ministrat e vendeve evropiane gjatë takimeve me ministrin tonë të Jashtëm, Lulzim Basha në Konferencën Ndërkombëtare për Irakun. “Ministrat e Jashtëm evropianë shprehën mbështetjen e tyre për procesin e liberalizimit të vizave duke theksuar se, Shqipëria po përjeton një transformim me ritme të shpejta dhe se përben një histori suksesi për Evropën Juglindore. Gjatë këtyre takimeve u vlerësua lart politika e matur dhe konstruktive si dhe roli i rëndësishëm që Shqipëria po luan për paqen dhe stabilitetin në rajon”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme. Gjatë punimeve të kësaj konference, ministri Basha u takua dhe bisedoi me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB Ban ki Mun, Sekretaren e Shtetit Condoleeza Rice, Përfaqësuesin e lartë të BE-së për politikën e jashtme Havier Solana, ministrin e Jashtëm britanik David Miliband, ministrin e Jashtëm italian Franko Fratini, kryeministrin suedez Rijnfeld, ministrin e Jashtëm suedez Carl Bildt, Ndihmës sekretarin për çështjet evropiane në Departamentin e Shtetit Dan Fried, ministrin e Jashtëm turk Ali Babaxhan, dhe ministrin e jashtëm finlandez Aleksander Stubb. Anëtarësimi i plotë në NATO, liberalizimi i vizave me BE-në si dhe zhvillimet ne Kosovë pas datës 15 qershor, ishin temat kryesore të takimeve. Bashkëbiseduesit vlerësuan progresin e Shqipërisë në lidhje me reformat në vend duke e konsideruar ketë një shembull për fqinjët. “Gjatë takimeve me ministrin Basha bashkëbiseduesit theksuan se, Shqipëria po ecën me hapa të sigurtë drejt anëtarësimit të plotë në NATO”, thuhet më tej në njoftimin e Ministrisë së Jashtme. Konferenca Ndërkombëtare për Irakun u organizua në Stokholm nga qeveria suedeze e bashkëkryesuar nga sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Ban Ki Mun dhe Kryeministri irakian, Nuri Al Mailiki. Rreth 100 delegacione morën pjesë në këtë konferencë, qëllimi i së cilës ishte bashkërendimi i përpjekjeve të komunitetit ndërkombëtar për stabilizimin, zhvillimin dhe integrimin e Irakut në ekonominë rajonale dhe globale.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›