Serbia i kërkon Shqipërisë bashkëpunim në sektorin e biznesit
“Politika duhet të jetë në funksion të biznesit dhe duhet të ecë njësoj me hapat e saj”. Një fakt të tillë e ka deklaruar dje kreu i Dhomave të Tregtisë serbe, Milos Bugarin, gjatë një takimi që ka zhvilluar me kreun e Dhomës Shqiptare të Tregtisë dhe Industrisë, Gjokë Uldedaj. Sipas përfaqësuesit të lartë të biznesit serb, dy vendet tona duhet të ecin në fushën e bashkëpunimit ekonomik e të kenë marrëdhënie të mira. Sipas Bugarin, "duhet të shfrytëzojmë edhe pozitën gjeografike të dy vendeve për të bërë jo projekte të vogla, por për të realizuar projekte të mëdha, siç janë ato në fushën energjetike". Nga ana e tij, Uldedaj ka përshëndetur nivelin e bashkëpunimit mes bizneseve të të dy vendeve dhe madje ka theksuar se në funksion të bashkëpunimit ekonomik rajonal në tërësi do të mbahet edhe një forum i posaçëm në Serbi gjatë këtij muaji. Sipas Uldedajt, "vendet tona mund t'i shmangin efektet e krizës nëpërmjet projekteve dhe planeve të përbashkëta". Ndërsa sipas përfaqësuesit të lartë të biznesit serb, "dy vendet tona duhet të ecin në fushën e bashkëpunimit ekonomik e të kenë marrëdhënie të mira edhe në të ardhmen në këtë aspekt". Presidenti i Dhomës së Tregtisë së Serbisë, Bugarin, tha se shkëmbimi tregtar midis dy vendeve ende nuk është në kapacitetin e tij të plotë, pasi për vitin 2008 import-eksportet llogariten 90 milionë dollarë. Ai tha se gjatë këtij viti ,“do të synojmë që nivelin e shkëmbimeve tregtare ndërmjet dy vendeve ta çojmë në 200 milionë dollarë”.
Gjatë takimit u vendos edhe pjesëmarrja e vendit tonë në një forum biznesi që do të zhvillohet në Beograd në datën 24 mars.
14 Mars 2009