E Diel, 1 Nëntor 2026

Kompensimi për ish-të përndjekurit, 8 bankat private që do të ndajnë paratë



Ervin KOÇI

Ministria e Financave do të fillojë nga shpërndarja e kompensimit financiar për ish-të përndjekurit politikë. Sipas kësaj ministrie, mësohet se ajo ka dërguar për në Bankën e Shqipërisë shkresën zyrtare për kalimin e parave për llogari të 60 ish-të dënuarve të parë, që kanë plotësuar dokumentacionin e kërkuar. Pas publikimit të listës me rreth 1400 ish-të përndjekur, që u verifikuan nga ministritë e linjës, Ministria e Financave bëri publike në media se ishin autorizuar 8 banka të nivelit të dytë, ku ish-të përndjekurit e listës zyrtare do të mund të hapnin llogaritë “depozitë” për të marrë dëmshpërblimin. Deri tani, rreth 60 shtetas shqiptarë (ish-të përndjekur) kanë përmbushur këtë detyrim, i cili është pasuar me çeljen e fondit nga ana e Ministrisë së Financave. Ndërkohë, Ministria e Financave rikujton se në zbatim të Ligjit Nr.9831, datë 12.11.2007, “Për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist”, si dhe VKM-së Nr.1699, datë 29.12.2008, “Për miratimin e dëmshpërblimit financiar për ish-të dënuarit politikë të regjimit komunist për vitin 2008”, të gjithë personat e listuar në këtë vendim duhet të hapin llogari depozitë në një nga bankat e përzgjedhura sipas ligjit, Neni 33.

Bankat që do të ndajnë para

Bankat e autorizuara nga Ministria e Financave për çeljen e këtyre llogarive janë: “Alpha Bank”, “Raiffeisen Bank”, “Banka Popullore”, “Banka Kombëtare Greke”, “BKT”-ja, “Tirana Bank”, “Union Bank”, “Banka Ndërkombëtare Tregtare”. Shuma e përfshirë dhe e llogaritur në vendimin e datës 29 dhjetor është 1 miliard lekë. Me hapjen e llogarisë, personat do të depozitojnë fizikisht në degët e thesarit të çdo dege vërtetimin/konfirmimin për: Emër, Atësi, Mbiemër dhe numrin e llogarisë në formë të shkruar. Me përcjelljen e këtij informacioni nga dega e thesarit në Ministrinë e Financave, kjo e fundit do të procedojë pagesat për në llogaritë e përfituesve. Shuma e këtyre përfituesve sipas ligjit do të paguhet me tetë këste, që do të thotë se secili nuk mund të marrë më shumë se 1/8, për të ruajtur kriterin e barazisë dhe të drejtësisë dhe njëkohësisht nuk mund të marrë më pak se 100 mijë lekë dhe më shumë se 1 milion. Çdo i dënuar i sistemit komunist shpërblehet me 2 mijë lekë për ditë burgu.

Tërheqja e parave

Dëmshpërblimi financiar i depozituar në llogaritë bankare tërhiqet personalisht nga vetë ish-i dënuari politik apo nga kujdestari i tij ligjor, kur ai ka humbur zotësinë juridike për të vepruar, apo nga familjari i viktimës së ekzekutuar. Kur ish-i dënuari politik ka vdekur apo vdes para ditës së tërheqjes së kësteve të dëmshpërblimit, shumën e parave e përfitojnë, në pjesë të barabarta takuese, vetëm familjarët e tij, të përcaktuar në Nenin 8 këtij ligji. Kur asnjëri prej tyre nuk është gjallë, dëmshpërblimi shuhet dhe fondet i kthehen Buxhetit të Shtetit. Banka e nivelit të dytë lejon tërheqjen e të gjithë depozitës nga përfituesit e përcaktuar në paragrafin e dytë të këtij neni, vetëm pasi ata/ai depozitojnë /depoziton personalisht certifikatën e vdekjes së ish-të dënuarit politik, dëshminë e trashëgimisë së tij dhe dokumentin që vërteton se të paktën njëri prej tyre është gjallë. Banka e nivelit të dytë, në dokumentin përkatës, shënon të dhënat e personit/personave që tërheq/tërheqin dëmshpërblimin, për llogari të vet dhe të të gjithë përfituesve. Një kopje e këtij dokumenti dhe e dokumentit që provon tërheqjen e llogarisë bankare i bashkëlidhen dosjes individuale në Ministrinë e Financave. Asnjë veprim bankar nuk mund të kryhet në kundërshtim me paragrafët e mësipërm të këtij neni, edhe nëse ai mund të autorizohet me prokurë. Ministria e Financave mbikëqyr mënyrën e respektimit të këtij detyrimi ligjor dhe, kur vëren shkelje, e gjobit bankën e nivelit të dytë me gjobë të barabartë sa trefishi i çdo depozite, të shpërndarë në kundërshtim me përcaktimet e këtij neni.

14 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›