E Diel, 1 Nëntor 2026

Projektligji i ri: “Administratori, i detyruar edhe në pallatet e para viteve ‘90”

Tarifa e mirëmbajtjes caktohet sipas shpenzimeve në total

Ervin KOÇI

Jo vetëm banorët që jetojnë në pallatet e reja, por edhe ata që banojnë në një ndërtesë të ngritur para viteve ’90, do të jenë të detyruar të paguajnë për administrimin e përbashkët të pallatit. Sipas projektligjit të ri “Për administrimin dhe mirëmbajtjen e objekteve të banimit”, çdo familje që jeton në ndërtesa dhe pallate të përbashkëta banimi, përfshi edhe ato që janë ndërtuar para viteve '90, do të paguajë për mirëmbajtjen e hapësirave të përbashkëta. Tarifa e mirëmbajtjes për secilin banor ose bashkëpronar ende nuk është caktuar, por pritet që të përcaktohet bazuar në shpenzimet totale të administrimit. Projektligji i ri “Për administrimin e objekteve të banimit” pritet të ketë vështirësi aplikimi për pallatet e vjetra, të cilat paraqesin një domosdoshmëri më të madhe mirëmbajtjeje, pasi ambientet e tyre të përbashkëta lënë shumë për të dëshiruar. Një pjesë e madhe e pallateve të ndërtuara dy dekada më parë, ambientet e përbashkëta i kanë në gjendje të mjeruar. Në bazë të draftit, organet e qeverisjes vendore mund të mbështesin bashkëpronarët me të ardhura të ulëta për financime ose duke vënë në dispozicion personelin teknik.

Projekti

Bërja e mundur e kësaj nisme të re, e propozuar nga Ministria e Transporteve, më parë kërkon regjistrimin e administratorëve pranë zyrave të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, ku ndodhet dhe ndërtesa e banimit. Sipas këtij projektligji, nuk do të ketë pastrime apo mirëmbajtje individuale nga banorët në blloqet e banimit ku jetojnë, por në hyrje të çdo pallati do të ketë një administrator. Detyra e këtij të fundit do të jetë mirëmbajtja e ambienteve të përbashkëta, duke nisur nga gjelbërimi, pastrimi i shkallëve, sistemet elektrike apo hidraulike, ashensori, gjeneratori, në rastet kur ka, garazhet, parkimet kolektive në oborret e lagjeve, kanalizimet, kolonat e shkarkimit, oxhakët, sistemet e gazit ose të formave të tjera të ngrohjes.

Tarifat e administrimit

Tarifa e administrimit për secilin bashkëpronar përcaktohet duke u bazuar në shpenzimet e administrimit dhe në kuotën e pjesëmarrjes në bashkëpronësi të pronarëve të njësive. Asambleja e administratorëve mund të miratojë me 90 për qind të votave, pavarësisht kuotës së pjesëmarrjes, që tarifa të jetë e njëjtë për të gjithë bashkëpronarët. Fondi rezervë krijohet në një llogari bankare në emër të asamblesë së bashkëpronarëve nga pagesa e tarifave mujore ose pagesave vjetore, sipas vendimit të asamblesë. Ky fond mund të preket vetëm për nevoja të paparashikuara, si dhe për çdo veprimtari që miratohet nga asambleja në momentin e krijimit të fondit rezervë. Për çdo objekt banimi do të caktohet një administrator ose shoqëri administruese. Ata kryejnë ato detyra që u janë dhënë me kontratë ose në marrëveshje me kryesinë, në varësi të formës së administrimit të zgjedhur. Administratori ose shoqëria administruese zbaton vendimet, përfshi edhe kontraktimin e subjekteve të treta. Administratori ndërmerr veprime për të eliminuar dëmtimet e pronës së përbashkët, mbledh, faturon ose kontrollon derdhjen në llogari bankare të tarifave mujore, merr masa dhe veprime ligjore për rastet e moskryerjes së tarifave mujore, mban buxhetin për mirëmbajtje dhe riparime, kontrollon kostot dhe pagesat e të gjitha faturave në emër të asamblesë.

Banesat dhe hapësirat e përbashkëta, të drejtat dhe detyrimet e pronarëve

Pronari i apartamentit ka detyrim të respektojë normat e etikës dhe të bashkëjetesës të përcaktuara në Rregulloren e Administrimit të Ndërtesave. Ai duhet të mos pengojë bashkëpronarët e tjerë për të gëzuar objektet që janë në bashkëpronësi të detyrueshme. Pronari është i detyruar që të paguajë tarifën e administrimit pavarësisht nëse nuk banon apo e ka dhënë atë me qira. Pronari duhet të lejojë kryerjen e inspektimeve dhe riparimeve të pronës së përbashkët brenda njësisë në pronësi të tij. Njëkohësisht ka të drejtë të kërkojë nga bashkëpronarët e tjerë në bashkëpronësinë e detyrueshme ku bën pjesë, apo dhe nga përdoruesit e këtyre njësive të veçanta, që të mos e cenojnë në përdorimin dhe gëzimin e objekteve të pandashme si dhe dëmshpërblimin dhe ndreqjen e dëmit, kur ky i fundit ka rrjedhur nga veprimet e tyre. Gjithashtu ai ka të drejtë të marrë pjesë në vendimmarrje, të informohet nga asambleja ose administratori dhe shoqëria e administrimit për vendimet e marra nga asambleja, kur nuk ka qenë i pranishëm, si dhe të informohet rregullisht nga administratori dhe nga mbledhjet vjetore të asamblesë për përdorimin e tarifës së administrimit apo të informohet nga administratori apo shoqëria e administrimit për mospagesën e tarifës së administrimit nga pronarët e tjerë.

14 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›