Gërdeci, Rama ftesë në shtëpi qytetarëve
Kreu socialist Edi Rama për të sensibilizuar qytetarët e kryeqytetit për protestën e 15 marsit, i kontaktoi ata pranë shtëpive të tyre.
Si asnjëherë më parë, kryesocialisti trokiti në dyert e rrugës “Ali Demi”, duke i ftuar qytetarët në protestën në kujtim të viktimave të tragjedisë së Gërdecit. Por përveç gatishmërisë së qytetarëve, Rama ka dëgjuar sërish problemet dhe hallet e tyre ekonomike dhe financiare. Dëshmia e një pensionisti banor i këtij blloku në kryeqytet ishte rreth faturave të fryra të energjisë elektrike. “Ata të dritave nuk vijnë fare që të shohin sahatin dhe sjellin fatura të fryra. Dy veta ne, pensionistë e paguajmë 70-80 mijë lekë energjinë. As nuk vjen fare faturistja këtu. Se si është puna, nuk e di. Ne jemi pensionistë, paguajmë për 6 lata dru dhe kur vjen puna, faturistja nuk vjen fare dhe 70 mijë fatura. Si do ia bëjmë nuk di si të them”, u shpreh pensionisti. Ndërsa kreu socialist është shprehur se do të jetë protesta e së dielës nga ku do të nisë dhe fillimi i një bashkimi të ri të shqiptarëve. “Ndaj ditën e diel duhet të jemi së bashku, për të manifestuar nevojën e të gjithëve për ndryshim, në mënyrë që kostoja e jetës që rritet aforfe çdo muaj, me çmime, me fatura, me sigurinë e jetës, me mungesën e garancisë për të nesërmen, me papunësinë e varfërinë. Të gjitha këto të jenë arsye të mëdha për të qenë bashkë, jo për t’u ndarë e përçarë. Jo ca këtej e ca andej me flamuj të ndryshëm, me ndasi, sherre, grindje, që i ka nxitur politika në 18 vjet”, tha Rama. Kreu socialist u sqaroi qytetarëve bashkë me vullnetarët për bashkim që e shoqëronin se: “Në 15 mars është 1-vjetori i tragjedisë së madhe që ndodhi në Gërdec dhe duam të bëjmë manifestim të madh qytetar, jo partiak”. “Të gjithë bashkë, parti, shoqata, familje, sipërmarrje për një ndryshim të madh. Për nevojën e një bashkimi të ri qytetarësh e qytetaresh, përtej ndasive të së vjetrës, përtej kufijve që na kanë vënë politikanët në gjithë këto vite, në emër të fëmijëve tanë, sigurisë në punë, rrugë, kudo, në emër të nevojës për të përballuar një krizë të madhe dhe të gjithanshme”, tha Rama.